Tërheqja jotaktike

LDK e Vetëvendosje kritikojnë qëndrimin e Kryeministrit Thaçi ndaj vizitave të zyrtarëve serbë. Ismet Beqiri thotë se Qeveria s'po ia di hallin vetes, e Visar Ymeri thotë se ajo nuk po i mban fjalët.

Lajme

10/10/2013 14:27

Partitë opozitare në Kosovë kanë kundërshtuar qëndrimin e Qeverisë së vendit rreth vizitave të zyrtarëve të lartë të Serbisë në Kosovë gjatë periudhës së fushatës zgjedhore.

Për to, është e pakuptimtë tërheqja e Kryeministrit Hashim Thaçi nga qëndrimi fillestar se nuk do ta lejojë asnjë zyrtar të Qeverisë serbe të hyjë në Kosovë gjatë kësaj periudhe.

Sekretari i Përgjithshëm të LDK’së, Ismet Beqiri, ka akuzuar Qeverinë e Kosovës për pafuqi duke thënë se \”ajo nuk po ia di hallin vetes.\”

“Qeveria jonë po jep fjalë të mëdha dhe nuk po i mban këto. Për mendimin tonë, është e papranueshme kjo qasje dhe ky qëndrim. Është një hap pas, një tërheqje e tyre. Për ne është e papranueshme, pasi që  këta edhe një herë e kanë dëshmuar se flasin diçka dhe bëjnë diçka tjetër”, ka thënë Beqiri.

“Ne jemi shtet në të cilin duhet të ketë lëvizje të lirë, por duhet të ketë kritere për të vizituar një zyrtar shtetëror serb, në këtë rast, shtetin e Kosovës. Duhen kritere, duhen procedura. E aq më tepër,  të mos abuzohet  dhe keqpërdoret situata,  në momentin kur jemi në zgjedhje. Është e papranueshme”.

Sipas tij, vizita e Kryeministrit të Serbisë Ivica Dacic në Kosovë është politike, siç kanë qenë gjithmonë vizitat e tilla, ndërsa rikujtoi se zyrtarët serbë në të kaluarën i kanë keqpërdorur edhe vizitat e karakterit fetar duke u lëshuar në deklarata politike.

Ndërsa për Visar Ymerin e Lëvizjes Vetëvendosje, lejimi i Dacicit të vijë në Kosovë dëshmon që Kosova “tashmë politikisht i është nënshtruar Serbisë”.

“Ky proces negociator i cili kulmoi edhe marrëveshjen e 19 prillit, në fakt e ka faktorizuar praninë institucionale dhe legale të Serbisë brenda Kosovës. Ardhja e liderëve apo krerëve institucionalë të Serbisë në Kosovë, gjatë fushatës elektorale, në fakt e dëshmon se në zgjedhjet lokalet në Kosovë po garon Serbia edhe subjekte tjera të cilat i përfaqësojnë qytetarët serbë të Kosovës”.

“Kjo nga ana e Serbisë është ndërhyrje e drejtpërdrejtë edhe në logjiken e ekzistimit të një shteti sovran dhe në vetë procesin elektoral të brendshëm të Kosovës”, tha ai.

Mediat serbe kanë raportuar se Kryeministri i Serbisë, Ivica Dacic, do të vijë në Kosovë më 19 tetor.