Teposhtëza dhe rikthimi i LDK’së

Isa Mustafa foli para të rinjve për rrugëtimin e LDK’së. Ai tha se kjo parti është duke u rikthyer pas një periudhe kur mori “teposhtëzen”.

Lajme

24/12/2013 11:37

Isa Mustafa, lideri i Lidhjes Demokratike të Kosovës, foli sot para Forumit të Rinisë të kësaj partie, për rrugëtimin e partisë së tij.

Në ditën kur LDK filloi vitin e 25’të të funksionimit, Mustafa tha se periudha e themelimit të LDK’së ishte e vështirë, meqë ishte partia e parë shqiptare me ide demokratike.

“Dje objektivisht LDK ka mbushur 24 vjet dhe prej sot kemi hyrë në çerek shekullin e parë. Në kohën kur është krijuar Lidhja Demokratike, ka qenë një kohë e vështirë”.

“Ajo që e cilëson atë periudhë është kur intelektualët e Kosovës, ishin ata që e dhanë idenë e themelimit të një subjekti politik, të themi si një fazë e parë të një pluralizmi politik që lindi në Kosovë”.

“Lidhja Demokratike ishte partia e parë shqiptare me ide pluraliste, me ide demokratike, të cilat pastaj nuk u realizuan dhe nuk u manifestuan vetëm në territorin e Kosovës”.

\"Gjatë

 

“Praktikisht Lidhja Demokratike ka qenë partia e parë në vend, ose më mirë thënë lëvizja popullore e cila ka organizuar qytetarët e Kosovës për një rezistencë, njëherë pasive pastaj aktive”.

“Ne jemi munduar që gjithmonë ecurinë e zhvillimit të Lidhjes Demokratike ta bëjmë në harmoni me kërkesat që dalin para saj”.

Isa Mustafa foli për periudhën e pas luftës, ku tha se në këtë periudhë hyn edhe parti të reja që krijojë konkurrencë.

Por, ai e pranoi që “teposhtëza” e LDK’së ishte ndarja e saj në vitin 2006 – ku si rrjedhojë e kësaj ndarje u krijua edhe LDD.

“Pas lufte, kanë lindur edhe subjektet e tjera politike dhe praktikisht është formuar një relief politik shumë më konkurrues”.

“Në aspektin organizativ të LDK’së, mendoj se në këto vite, në të vërtetë rënia ose teposhtëza e LDK’së ka ndodhur në vitin 2006 kur u bë ndarja e LDK’së dhe LDD’së, që shkojë një ndarje gati 50, që ishte fatale në Lidhjen Demokratike”.

“LDK’ja është dashur që të profilizohet, prej një lëvizje gjithëpopullore në një parti të mirëfilltë politike. Kjo periudhë e profilizimit të LDK’së ka zgjatur mjaft shumë”.

Isa Mustafa thotë se LDK është duke u rikthyer si parti e parë në vend, por pranoi që ky rikthim është i ngadalshëm.

“Ne tashmë jemi duke u kthyer, por rikthimi jonë është shumë më i ngadalshëm sesa që ka qenë më parë. Me vota, praktikisht jemi duke u rikthyer, jemi duke rritur votën. Kemi krijuar kohezion të brendshëm”.

“LDK’ja është një parti që ka marrëdhënie të brendshme demokratike, një parti e cila as nuk kultivon dhunën, as kultivon frikën”.

“Në këto trende ne e vlerësojmë se jemi shumë mirë, nuk është fakti që ne nuk kemi hapësirë që të jemi edhe më mirë në pikëpamje të organizimit”.

“Ajo çka na nevojitet është një kohezion i gjeneratave, sepse tashmë në LDK kemi 3 gjenerata dhe po futet edhe gjenerata e katërt”, tha Isa Mustafa.