Teoria e Gjysmës, sipas Haradinajt
Ramush Haradinaj thotë se partia e tij po punon seriozisht për t’i sjellë lajme të mira Kosovës. Partitë tjera i quan gjysmake.

Lajme
Ramush Haradinaj, të mërkurën, në një ceremoni solemne, të mbajtur në Sallën e Kuqe, ka prezantuar listën e kandidatëve të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës për Asamblenë Komunale të Prishtinës.
Nga kjo sallë e dekoruar, Haradinaj ka shprehur optimizëm për suksesin e partisë së tij me 3 nëntor, ndërsa partitë tjera i ka quajtur “gjysmë-parti”.
“Partitë politike të cilat veprojnë sot në skenën politike të Kosovës, në një mënyrë mund t’i shpjegoj si gjysmë… si – parti gjysmë.”
“Pse janë parti gjysmë? Partia që është në pushtet, në nivel nacional – PDK – është gjysmake për faktin se ka zhvilluar vetëm instrumente që i ndihmojnë për të ardhur në pushet. Por, ditën e ardhjes në pushtet, pushon vizioni i saj. Pra, nuk e ka zhvilluar gjysmën tjetër të rrugës”.
“Kemi parti që kur e marrin besimin, ato janë gjysmë, sepse u mungon energjia për të shkuar më tutje.”
“Shohim në skenën politike edhe subjekte politike që energjitë i kanë gjysmake, nuk dinë t’i drejtojnë në mënyrën e duhur. Nuk dinë t’i shërbejnë vendit. Nuk dinë ta ndihmojnë demokracinë e brendshme. Nuk dinë t’ia forcojnë argumentet Kosovës për të cilat ajo ka nevojë“.
“Dikush nuk po rri. Po punon seriozisht, me respektin më të madh ndaj përgjegjësive që ka, që t`i sjellë Kosovës lajmin e mirë. E këta, jemi ne, është AAK me partnerin e saj LDD dhe me të gjithë qytetarët që na besojnë”.
“Jam i bindur se ekipi i Aleancës për Prishtinën do të jetë më serioz se cilado parti tjetër”.
Opsioni Optimist