Teoria e bretkosës

Beogradi zyrtar s’ka farë disponimi për t’iu kthyet tavolinës së bisedimeve. Por, në anën tjetër, Beogradi synon ta bëjë Prishtinën përgjegjëse për ngecjen evidente në procesin e dialogut.

Lajme

24/01/2019 09:22

Shkruan; Blerim Shala

Eksperimenti me dy bretkosat dhe me ujin që ngadalë vlon, është i njohur për të gjithë.

Në atë variantin e parë, bretkosa gjindet në ujë, i cili nxehet ngadalë, dhe ajo adaptohet disi në ujin e ngrohtë, derisa të mos zihet e tëra.

Gjyma e dytë e eksperimentit pastaj nënkupton hedhjen e bretkosës në po të njejtin ujë. Ajo menjëherë ikë nga ky ujë, sepse e ka dallimin e qartë në mes të temepraturës së jashtme dhe asaj të ujit.

Me gjasë ne, si shoqëri dhe si politikë jemi në këtë pjesën e parë të këtij eksperimenti.

Si vend, si shoqëri, po na ndodhë përballja me një mori problemesh, të cilat janë kombinim i të metave dhe dështimeve vendore, të atyre që kanë autorësinë e qartë të Beogradit, dhe të tjerave ku jemi ‘dëm kolateral’ i zhvillimeve ndërkombëtare.

Kështu si jemi, po ‘vlojmë dalëngadalë’, pa kuptuar shumë se çka po ndodhë me ne, dhe ku mund të na çojë kjo teposhtëze tri-burimore, mbi të gjitha, në mungesë të një qëndrimi dhe të një ndjenjeje të përgjegjësisë të atyre që qyshdoqoftë janë të thirrur, me postet dhe pozitat që kanë, të jenë në krye të proceseve më të rëndësishme për institucionet e veçanta dhe për vendin në tërësi.

Secili prej tyre në fakt, e ka atë anën e një përgjegjësie të veçantë që ka, kudo që është, por njëkohësisht, ai me atë detyrë që ka, gjithmonë duhet ta ketë parasyshë edhe atë përgjegjësinë e përgjithshme, për fatin e këtij vendi, të këtij shteti.

Shembuj për domosdoshmërinë e dyzimit të këtyre dy përgjegjësive ka sa të duash, dhe ato janë lajme të përditshme mediatike dhe politike.

Ai i pari që mezi pret të përmendet këtu është greva në arsim, me të cilën nisim dhe sosim çdo ditë tash e gati dy javë.

Janë shterrë të gjitha argumentet për dhe kundër në debatet e panumërta për këtë temë në mes të autoriteteve qendrore të vendit dhe atyre sindikaliste. Po humbin ditët e mësimit për fëmijë  (të cilat mbase nuk do të kompenzohen fare), jeta e shumë familjeve është çrregulluar me ka krejt, ndërsa realisht, gjasat që të përmbushen kërkesat sindikaliste janë kurfare.

Situata pra është e qartë, por ja që kush nuk di, së paku kur po bëhet ky shkrim, si dhe kur do të përmbyllet ky rrëfim.

Natyrisht, ka pasë greva të tjera edhe para se të nisë kjo në arsim, e ka paralajmërime edhe për greva të reja, të cilat në tërësinë e tyre, do ta mëdyshin me themel stabilitetin edhe ashtu të brishtë social në Kosovë.

Shembulli i dytë kur ne si politikë na pret një vendim i pashmangshëm, përkon me taksën ndaj produkteve me origjinë nga Serbia dhe Bosnja dhe Hercegovina.

Edhe pse në paraqitjet publike, zyrtarët kryesorë të Serbisë po shfaqen me deklarata pajtuese për ta tejkaluar situatën e krijuar realisht prej vetë atyre, realiteti e dëshmon të kundërtën. Fushata e egër ndërkombëtare kundër Kosovës po vazhdon në të katër anët e globit. Nuk kalojnë disa ditë pa pasë ndalesa të serbëve të cilët janë pjesë e institucioneve të Kosovës, në kufijtë që çojnë në Serbi. Në anën tjetër, prodhuesit serbë po mundohen  (dhe me gjasë, po arrijnë), të depërtojnë në tregun kosovar, qoftë ilegalisht, qoftë edhe përmes shteteve fqinje të Kosovës.

Kur të gjitha këto elemente të bëhen bashkë, mund të konkludohet që objektivisht, instancat më të larta të Serbisë po bëjnë çmos që ta detyrojnë Qeverinë e Kosovës ta mbajë në fuqi vendimin për taksën, pezullimi i së cilës siç e dimë të gjithë, është parakusht për ta mëkëmbur dialogun në Bruksel dhe për tu përpjekur për ta bërë Marrëveshjen gjithpërfshirëse në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Nuk po duket pra që Beogradi zyrtar ka farë disponimi për t’iu kthyet tavolinës së bisedimeve. Por, në anën tjetër, nuk ka dyshim që Beogradi synon ta bëjë Prishtinën përgjegjëse për ngecjen evidente në procesin e dialogut, edhe pse Washingtoni dhe kryeqendrat e tjera perëndimore, duan të shohin vazhdimin e bisedimeve në Bruksel, dhe intensifikimin e përpjekjeve të autoriteteve të Kosovës dhe Serbisë për nënshkrimnin e Marrëveshjes ligjësisht obligative, gjatë këtij viti.

Edhe në këtë rast pra, duket që është e domosdoshme që të ndërlidhet ajo përgjegjësia e veçantë e një Qeveria, me përgjegjësinë e përgjitshme për Kosovën.

(Autori është kolumnist i rregullt i Lajmi.net)