Tentimet për (mos)marrëveshje, ngërçi dhe akuzat mes VV-së e LDK-së shihen si parafushatë elektorale

Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demoratike e Kosovës kohëve të fundit kanë treguar pozicione polarizuese me njëra-tjetrën sa i përket arritjes së një marrëveshjeje për bashkëqeverisje.

Lajme

17/01/2020 23:05

Deklaratat e fundit nëpër media nga të dy taboret flasin pothuajse për një pamundësi të arritjes së një marrëveshje për shkak të pozicioneve të betonizuara të të dy partive.

E këtë situatë, problematike po e sheh edhe Jeta Krasniqi nga Instituti Demokratik i Kosovës.

Ajo në një prononcim për lajmi.net është shprehur se ka tentativa për arritje të një marrëveshje por zgjedhja e kryetarit të Kuvendit e ka bërë situatën më problematike.

“Ne çfarë jemi duke parë tani ka tentativa nga të dy partitë politike për arritje të marrëveshjes, tani kemi një institucion të Kosovës të konsituuar por duket se VV nuk është e gatshme ta kthej në zero këtë dhe të kërkoj dorëheqjen nga Konjufca dhe po i drejtohet me një marrëveshje politike LDK-së”, tha Krasniqi për lajmi.net.

Më tutje, ajo është shprehur se sa janë të gatshme këto dy parti për kompromis politik mbetet të shihet, por ajo çfarë po shihet tani për tani është një parafushatë e përbërë me akuza ndaj njëra-tjetrës.

“Sa janë të gatshme këto dy parti të bëjnë kompromise të arrijnë një marrëveshje mbetet të shihet por ajo që kemi parë është si një pjesë e një zhvillimi të një parafushate duke e akuzuar njëra-tjetrën për qëndrimet e veta, por gjithësesi ajo që ne presim është që partitë politike të shprehin gadishmërinë dhe të arrijnë koalicionin për qeverinë”, tha Krasniqi për lajmi.net.

Sa i përket mundësisë për shkuarje në zgjedhje të reja, Krasniqi është shprehur se janë po të njëjtat parti politike ato që do të jenë edhe në zgjedhjet e reja, duke shprehur skepticizëm nëse zgjedhjet janë zgjidhja.

“Se sa do të arrhet që zgjedhjet të jenë zgjidhje mbetet të shihet, partitë politike janë po këto dhe kemi parë që në vazhdimësi partitë politike i kanë vendosur vija të kuqe njëra-tjetrës, ne mund t’i referohemi sondazheve por mbetet t’i shohim qytetarët dhe mbetet të shohim nëse partitë politike do të garojnë të vetme ose do të bëjnë koalicione”, tha Krasniqi për lajmi.net.

Në fund ajo është shprehur se partitë politike duhet t’i ndjekin pritshmëritë e qytetarëve që i kanë votuar.

“Neve na mbetet të themi që në fakt qytetarët kanë votuar dhe iu mbetet partive politike ta respektojnë atë vullnet, ajo që ne kuptojmë nga kjo situatë duhet të shihet se këtu nuk kemi të bëjmë me ndarje pozitave vetëm, por edhe me parime dhe mënyra të qeverisjes”, tha Krasniqi për lajmi.net.

Vlen të theksohet se zgjedhja e Glauk Konjufcës si kryetar i Kuvendit të Kosovës ka komplikuar arritjen e një marrëveshje midis këtyre dy partive, pasi posti i kryeparlamentarit sipas marrëveshjes parimore do t’i takonte LDK-së.

Në anën tjetër, LDK-në nuk e ka bindur rritja e numrit të ministrive nga ana e Vetëvendosjes pasi ata konsiderojnë se iu takon kryeparlamentari, presidenti i vendit dhe 5 ministri. /Lajmi.net/