Tensionet në veri, gazetari rumun për lajmi.net: Federata jonë e shqetësuar për tifozët që do të udhëtojnë

Tensionet e fundit në veri të Kosovës kanë ngjallur jopak shqetësim edhe në Federatën Rumune të Futbollit, e cila disa ditë më vonë do të zbarkojë në Prishtinë për ndeshjen me Kosovën, e vlefshme për kualifikimet në Kampionatin Evropian 2023. Vlad Nedelea, gazetari rumun i gazetës GSP, në Bukuresht, në një prononcim për lajmi.net ka…

Sport

03/06/2023 19:46

Tensionet e fundit në veri të Kosovës kanë ngjallur jopak shqetësim edhe në Federatën Rumune të Futbollit, e cila disa ditë më vonë do të zbarkojë në Prishtinë për ndeshjen me Kosovën, e vlefshme për kualifikimet në Kampionatin Evropian 2023.

Vlad Nedelea, gazetari rumun i gazetës GSP, në Bukuresht, në një prononcim për lajmi.net ka shpalosur me shumë detaje rreth kësaj çështjeje.

Ai ka thënë se shtëpia e futbollit rumun ka qenë e shqetësuar për tifozët rumunë që pritet të udhëtojnë në Prishtinë në mes të muajit qershor, për shkak të tensioneve të fundit në veri të Kosovës.

Sipas tij, Federata me seli në Bukuresht është në kontakt me Federatën e Futbollit të Kosovës dhe UEFA-n lidhur me sigurinë e tifozëve të Rumanisë që duan të jenë prezent në Prishtinë.

“Ditëve të fundit këtu ka shumë debate për situatën në veri të Kosovës. Presidenti i Federatës sonë të futbollit na tregoi për një grup pune për këtë rast. Ai na tha se janë në një dialog shumë të ngushtë me zyrën rumune në Prishtinë, me federatën lokale të futbollit, si dhe me UEFA-n”, tha gazetari rumun, Vlad Nedelea për lajmi.net duke shtuar:

“Federata Rumune e Futbollit ka një shqetësim në lidhje me sigurinë e tifozëve tanë që do të udhëtojnë atje. Ata duan të vënë mbi të gjitha sigurinë e tifozëve rumunë” – deklaroi ai.

Tensionet në komunat veriore të Republikës së Kosovës “shpërthyen” ditë më parë nga huliganët dhe nacionalistët serbë të cilët sulmuan edhe me armë zjarri pjesëtarët e Policisë së Kosovës dhe ushtarët e KFOR-it, ndërsa kishte edhe të lënduar.

Federata Rumune e Futbollit ka dalë me një thirrje për tifozët dhe gazetarët rumunë që do të udhëtojnë drejt Prishtinës për ndeshjen kualifikuese të Kampionatit Evropian kundër Kosovës që luhet pas disa ditësh.

Ata kanë rekomanduar që hyrja në Kosovë të bëhet nga kufiri me Maqedoninë e Veriut ose nga Merdarja.

FRF gjithashtu ka bërë thirrje për tifozët që në stadium të mos shfaqin mesazhe politike që mund të sjellin reagime nga shikuesit kosovarë.

Ndryshe, Kombëtarja e Kosovës do të përballet me Rumaninë më 16 qershor në stadiumin “Fadil Vokrri” me fillim nga ora 20:45, në kuadër të Grupit I të kualifikimeve për Evropianin 2023.

Përveç Rumanisë, Kosova në Grupin I është edhe me Zvicrën, Izraelin, Bjellorusinë e Andorrën./Lajmi.net/