Tenderi 530 mijë euro me qumështin, Shpend Ahmetit ende nën hetime

Prokuroria Themelore në Prishtinë është duke vazhduar hetimet për tenderin e qumështit ndaj kryetarit të Prishtinës, Shpend Ahmeti dhe ende nuk dihet nëse do të ketë aktakuzë.

Lajme

23/06/2019 18:19

Ish-bashkëpartiakët e tij të dikurshëm, aktivistë të Vetëvendosjes, në janar të këtij viti kishin bërë kallëzim penal ndaj kryetarit të Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, për siç thonë ata, keqpërdorim të 530 mijë eurove në tenderin për furnizim me qumësht për nxënësit e klasave të para dhe të pesta.

Për rastin në fjalë, Prokuroria Themelore në Prishtinë në janar të këtij viti, kishte konfirmuar për lajmi.net se kishte nisur hetimet.

Tenderi me qumështin, Prokuroria nis hetimet ndaj Shpend Ahmetit

E menjëherë pas kësaj, Ahmeti kishte paditur ish-partin e tij për shpifje.

Pasi kishte dorëzuar padinë në Gjykatën Themelore të Prishtinës, Ahmeti kishte thënë se në padi ka kërkuar dëmshpërblim, të cilin sipas tij do ta caktojë gjykata.

Ahmeti ka përsëritur se procedurat kanë qenë të hapura dhe se çmimi i qumështit të blerë ka qenë më i liri në Kosovë.

Por se deri ku kanë shkuar hetimet për tenderin me qumështin dhe a pritet aktakuzë ndaj kryetarit të Prishtinës, Shpend Ahmetit, lajmi.net ka kontaktuar me Prokurorinë Themelore në Prishtinë.

Kujtim Munishi, Ushtrues Detyre i Kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Prishtinë, ka thënë për lajmi.net se hetimet për tenderin me qumështin janë duke vazhduar dhe se ende nuk ka asgjë konkrete për këtë rast.

“Rasti është ende nën hetime, nuk mund të themi asgjë deri sa të përfundojnë hetimet. Mund të gabojë për data sepse hetimet janë duke vazhduar, kështu që nuk mund të themi asgjë pa i marruar të gjitha provat”, ka thënë Munishi.

Nga dhjetori i vitit të kaluar, Komuna e Prishtinës nuk kishte arritur që të bëjë furnizimin me qumësht për nxënësit e shkollave, niveli i ulët nga klasa e parë deri në të pestën. Kjo për shkak se ishte vonuar në procedurat e prokurimit dhe më pas i dolën probleme.

Më pas, në maj të këtij viti, Komuna e Prishtinës që udhëhiqet nga kryetari Shpend Ahmeti kishte vendosur që përsëri të furnizojë shkollat e nivelit të ulët me qumësht Vita.

Komuna kishte vendosur që ta negociojë tenderin e qumështit me kompaninë “ABRAZEN” L.L.C, e cila drejtohet nga njerëzit e “Devolli grup”, e që për produkt e kanë qumështin Vita.

Komuna e Prishtinës e zhbllokon tenderin e qumështit, vazhdon përsëri me Devollët

Sipas dosjes se tenderit, tek përshkrimi i çmimeve, sasia e paraparë e qumështit është 1.834.245 copë ne ambalazh tetra-pak 250 ml. Tenderi që u realizua me procedurë të negociuar pa publikim të kontratës është marrëveshje kornizë vetëm për 6 muaj.

Vlera e parashikuar e kontratës për këtë sasi të qumështit është 375 mijë euro, ndërsa çmimi për një pako 250 ml do të jetë 20 centë, ashtu sikur i tenderit paraprak.

Komuna e Prishtinës ka pasur dy kontrata për furnizim me qumësht të nxënësve të klasave I-V. E para ishte lidhur në vitin 2015 me “Devolli Group” dhe ka qenë kontratë kornizë për disa vite. Sipas kësaj kontrate, një pako qumësht është blerë 10 centë, ku vlera e përgjithshme e kontratës ka qenë 200 mijë euro. Dhe kontrata e dytë, të cilës i ka skaduar validetiti në janar 2019 ishte lidhur në vitin e kaluar, dhe një pako qumësht është blerë 20 centë, ku vlera e përgjithshme ishte 733 mijë e 698 euro. /Lajmi.net/