Tender për Qeverinë, kërkon Krasniqi

Jakup Krasniqi e quan të pistë, të paligjshëm dhe jodemokratike mënyrën se si janë shitur aksionet e PTK’së. Por, privatizimi mbrohet nga Qeveria, e cila e vlerëson si të suksesshëm privatizimin e 75 për qind të aksioneve të PTK’së.

Lajme

12/09/2013 20:05

Kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi e ka vështirë të përmbahet kur bëhet fjalë për procesin e privatizimit në Kosovë, të cilin ai e kritikon sa herë i jepet mundësia.

Në seancën e parë vjeshtore të Kuvendit, ku është diskutuar për privatizimin e 75 për qind të aksioneve të Postës dhe Telekomit të Kosovës, kreu i Kuvendit e ka quajtur të pistë, të paligjshëm dhe jodemokratik mënyrën se si janë shitur aksionet e kësaj ndërmarrje publike në Kosovë.

“Hajde ta qesim një tender për ta shitur Qeverinë dhe të vijnë njerëz që dinë me Qeverisë me këtë vend. Më e nevojshme është me qitë në shitje qeverinë e këtij vendi, sesa pasurinë e këtij vendi”.

“Së paku pasuria ruhet dhe një ditë e shfrytëzon populli. Ato të holla që pretendohet të merren, ku do të shkojnë. A do të hyjnë më shumë në xhepat e njerëzve, apo do t’i shkojnë publikut. Mjetet dhe paratë publike vazhdojnë të keqpërdoren çdo ditë”.

“Të gjithë e dimë se për dy tri vjet janë ndaluar dhe nuk është investuar në ngritjen e vlerës së PTK-së. Ndërsa, tash pasi është shtiru investohet për t’ia ngritur vlerën dhe, me të drejtë, Hyda e shtojë se kush po shet e kush po blen në këtë proces”.

Por, ndryshe mendon Ministri i Zhvillimit Ekonomik Fadil Ismaili. Ai thotë se çmimi i dhënë për privatizimin e aksioneve të PTK’së është më i larti në rajon dhe kjo ka treguar atraktivitetin e Qeverisë.

“Çmimi i ofruar për privatizim të aksioneve të PTK-së është prej më të lartëve në rajon krahasuar me çmimin e shitjeve të ngjashme, që tregon për atraktivitetin e PTK-së si kompani por edhe mundësi investuese të shteteve në Kosovë”.

Kryetari i Grupit Parlamentar të LDK’së, ndërkaq, Ismet Beqiri, thotë se subjekti i tyre politik asnjëherë nuk ka qenë kundër privatizimit, por gjithmonë kanë qenë kundër privatizimit në mënyrën se si po bëhet kjo me PTK’në pa vendimin e Kuvendit të Kosovës.

“Besoj se kjo mjafton për të treguar se nuk keni bazë ligjore për të proceduar me tutje. Këtu ka bazë për hetuesi, për t’i ndjekur ata që kanë gisht këtu. Këtu ka bazë prokuroria dhe publikisht po them lirisht le të hetojnë ta shohim se kush ka gisht në këtë plaçkitje që po i bëhet një aseti të vendit tonë”.

Procesin e privatizimit të PTK’së e konsideron antiligjor edhe Lëvizja Vetëvendosje.

“Ky proces është anti ligjor shumë i dëmshëm dhe është jashtëzakonisht i korruptuar në mënyrë që të lejohet madje edhe të diskutohet në Kuvend e leje më të votohet për të”.

Ardian Gjini nga AAK ka thënë se informatat që i kanë u tregojnë se ky proces ka dështuar.

“Këtu kemi probleme të mëdha. Është e vërtetë që është përcjellë me korrupsion, është e vërtetë se kanë mbërritur deri në një fazë se ndoshta nuk nëse privatizohet tani, edhe vetë vlerësimi dhe vlera e aseteve të kësaj kompanie do të përgjysmohet. Qeveria e Kosovës ka bërë një dëm të madh në këtë proces.”

(Kosovapress, lajmi.net)