Temperaturat rreth 30 gradë, Komuna e Prishtinës e lëshoi ngrohjen në mes të korrikut

Disa institucione të Komunës së Prishtinës kanë shpenzuar mijëra euro në muajin korrik. Paratë u shpenzuan në emër të ngrohjes qendrore, ani pse temperaturat në korrik kanë qenë rreth 30 °C.

Lajme

13/08/2019 20:34

Institucionet arsimore në Komunën e Prishtinës po ngrohen edhe gjatë verës. Të dhënat zyrtare të Komunës tregojnë se për ngrohjen e institucioneve arsimore u shpenzuan fiks 100 mijë euro për naftë, të cilat shërbyen për ngrohjen e disa institucioneve shëndetësore dhe arsimore, shkruan lajmi.net.

Në raportin financiar për muajin korrik, i hartuar nga Drejtoria e Financave të cilin e ka parë lajmi.net, shihet se 33,618.50 euro janë shpenzuar për naftë, për ngrohjen qendrore nga admistrata e institucioneve shëndetësore. 33,618.50 euro naftë për ngrohjen qendrore.

Tek drejtoria e arsimit, figuron një shpenzim në vlerë prej 52,184.26 eurove, por nuk është cekur se cilat institucione arsimore e kanë bërë këtë shpenzim.

Ndërkohë, dihet që të gjitha shkollat, përfshirë edhe çerdhet që menaxhohet nga Komuna, gjatë muajit korrik kanë qenë në pushim vjetor. /Lajmi.net/