“Televizioni i Kurtit”, aktivisti futet me pankartë në duar derisa në RTK po prezantoheshin lajmet qendrore

Derisa në orarin e njëjtë në televizionin publik po shfaqeshin lajmet qendrore të RTK-së, dikush protestoi prapa prezantueses. Nol Nushi nga PSD hyri në redaksinë e lajmeve qendrore në RTK, ndërsa në duar po mbante një pankartë ku shkruante “Radio Televizioni i Kurtit”. Ky reagim erdhi pasi gjatë ditës së djeshme në krye të televizionit…

Lajme

01/02/2023 19:52

Derisa në orarin e njëjtë në televizionin publik po shfaqeshin lajmet qendrore të RTK-së, dikush protestoi prapa prezantueses.

Nol Nushi nga PSD hyri në redaksinë e lajmeve qendrore në RTK, ndërsa në duar po mbante një pankartë ku shkruante “Radio Televizioni i Kurtit”.

Ky reagim erdhi pasi gjatë ditës së djeshme në krye të televizionit të RTK-së është emëruar Rilind Gërvalla, transmeton lajmi.net.

Gërvalla është përmendur si emër i afërt i Lëvizje Vetëvendosje,si dhe një ndër donatorët e partisë së drejtuar nga Albin Kurti, Lëvizja Vetëvendosje.

Në lidhje me aksionin e sotëm është deklaruar i pari i PSD-së, Dardan Molliqaj.

Ai tha se lajmet e televizionit publik, tash e tutje janë lajmet e partisë.

Reagimi i plotë:

Radio Televizioni i Kurtit

Lajmet e televizionit publik tash e tutje janë lajmet e partisë. Redaksia tash është Qeveria. Policia nuk është më veç në rrugë. Ajo vjen përmes filtrave të censurës. Garanton Rilind Gërvalla, drejtor i televizionit, i deleguar nga Partia-Shtet.

Emërimet partiake nëpër ndërmarrje e agjenci janë bërë pjesë e përditshmërisë. Por, ky nuk është emërimi i radhës. Me këtë emërim pushteti na hyn nëpër shtëpi. Për të na treguar si duhet t’i kuptojmë veprimet e tij. Por, qytetarët tanë e kanë kaluar, dhe nuk do të kthehen me në kohërat e errëta ku jeton ky regjim. Liria do t’i gjejë rrugët e saj./Lajmi.net/