Telekomi humbi 10.8 milionë euro nga keqmenaxhimi, RTK-ja 800 mijë

Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, ka theksuar të martën se nga auditimi i kryer në Telekomin e Kosovës, ka rezultuar se ka pasur humbje prej 10.8 milionë eurosh për vitin e shkuar.

Lajme

05/07/2022 14:24

Në një konferencë për media, Spanca prezantoi çështjet kryesore të paraqitura në raportet e auditimit të rregullsisë dhe performancës dhe parregullsitë kryesore, të cilat ZKA-ja i ka identifikuar përmes auditimeve të kryera për vitin 2021.

“Pjesën më të madhe të humbjeve e kishte Telekomi i Kosovës në shumën prej 10.8 milionë euro apo 66 përqind të totalit të humbjeve, kurse fitimin më të madh e kishte realizuar Termokos në shumën prej 1.9 milionë euro apo rreth 49 përqind nga totali i fitimit”, tha ajo.

Ndërsa sa i përket Radio Televizionit të Kosovës (RTK), ajo tha se humbjet nga keqmenaxhimi janë 800 mijë euro.

“Në auditimin e performancës në RTK, kontrolli i dobët mbi menaxhimin e stafit të rregullt duke mos respektuar edhe vendimet e Bordit nga menaxhmentit, i ka kushtuar RTK-së keq menaxhim financiar në vlerë prej rreth 800 mijë euro për tre vite. Parregullsitë kanë rezultuar me mungesë të llogaridhënies, transparencës dhe konkurrencës në menaxhimin e fondeve publike”, tha ajo.

Auditorja e përgjithshme, Spanca tha po ashtu se gjatë auditimit kanë identifikuar 67 raste me elemente potenciale për kryerje të veprave penale.

Për këto raste, ajo tha se kanë njoftuar Prokurorin e Shtetit, e të cilat raste më pas janë adresuar te Prokuroritë Themelore.

“ZKA-ja ka vazhduar bashkëpunimin me organet e drejtësisë dhe adresimit të rasteve në prokurori. Nga analizimi i 80 përqind të raporteve të publikuara të auditimit kemi identifikuar 67 raste me elemente potenciale për kryerjen e veprave penale. Bazuar në nenin 24 të Ligjit për Auditorin e Përgjithshëm dhe ZKA-në, në lidhje me të gjitha këto raste menjëherë e kemi njoftuar Prokurorin e Shtetit, i cili na ka informuar me shkrim së çështjet e raportuara i ka adresuar tek Kryeprokurorët e 7 Prokurorive Themelore të Republikës së Kosovës”, tha ajo.

Spanca theksoi se janë 110 raporte të auditimit financiar dhe të pajtueshmërisë si dhe 11 të performancës.