Telefonitë mobile të rajonit, vazhdojnë të operojnë ilegalisht në Kosovë

Kryetari i bordit të Autoritetit Rregullativ të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP), Ekrem Hoxha ka pranuar se edhe në këtë moment vazhdojnë të operojnë ilegalisht operatorët mobil në vendin tonë. Ai ka shtuar se falë marrëveshjes për telekomin në Bruksel, operimet ilegale do të legalizohen.

Lajme

16/09/2015 15:37

Hoxha para anëtarëve të komisionit parlamentar për buxhet dhe financa, tha se deklaratat e kryeshefit ekzekutiv të Postës dhe Telekomit të Kosovës (PTK), Agron Mustafa, i ka quajtur emocionale dhe me vështrim monopolist.

Mustafa ditë më parë kishte deklaruar në media se ARKEP me mos dhënie në shfrytëzim të brezit të ri frekuencor po e dëmton kompaninë në zhvillimin e saj.

Kryetari i komisionit për buxhet dhe financa, Naser Osmani ka kërkuar të dijë se çfarë po ndodh me kërkesat e Valës.

Ekrem Hoxha, kryetar i bordit të ARKEP, tha se kritikat me emocione nuk i komentojmë.

Sipas tij, çmimi do të jetë unik për të dy operatorët dhe operatorët mbi bazën e planifikimit biznesorë do të mund të deklarohen se sa mund të blejnë.

Po ashtu, anëtarët e komisionit kanë kërkuar të dinë nga Hoxha se a ka operime ilegale në Kosovë.

Kurse, Latif Gashi, anëtar i komisionit për buxhet dhe financa ka kërkuar nga Hoxha përgjigje konkrete për operimet ilegale në Kosovë.

Hoxha ka pranuar se edhe në këtë moment vazhdojnë të operojnë ilegalisht operatorët mobil në vendin tonë.

Komisioni ka miratuar raportin vjetor financiar të ARKP. Po ashtu, ky komision i ka miratuar dhe proceduar për në kryesi edhe projektligjet për ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Dukatës së madhe të Luksemburgut për Projektin e bashkëpunimit për zhvillim: “KSV/018 Mbështetje institucionale dhe teknike për sistemin e furnizimit me ujë në rajonin e Mitrovicës dhe projektligjin për ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Dukatës së madhe të Luksemburgut për projektin e bashkëpunimit për zhvillim: “KSV/017: Programi për mbështetjen e shëndetësisë në Kosovë për fazën eII./Kosovapress/