Teknikisht: Armëpushim

Normalizimi i raporteve në mes të Kosovës dhe Serbisë është parakusht për këto dy shtete të arrijnë demokratizimin e plotë dhe normalizmin e brendshëm të tyre.

Lajme

18/12/2019 09:46

Shkruan: Blerim Shala

 Nuk ka Qeveri në Kosovën e pasluftës, e cila nuk është detyruar, dhe këtu nuk ka qenë fare punë vullneti pra, apo i prioriteteve politike, të mirret me problemin e madh të raporteve në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Këto relacione kanë njohur, në fazën e fundit të tyre, prej marsit të vitit 1989-të e tutje  (pas abrogimit të dhunshëm të autonomisë politike të Kosovës), siç e dimë të gjithë ne, periudhën e okupimit të rëndë, pastaj atë të luftës e cila përditë solli krime dhe tragjedi të rënda për qytetarët e Kosovës.

Nuk ka pasë pra ku të shkojë më keq, kur flitet për marrëdhëniet e Kosovës dhe Serbisë.

Në ato vitet pas rënies së regjimit të Millosheviqit, madje, edhe në vitet e nëntëdhjeta të okupimit, kur në Serbi ishte në pushtet Millosheviqi kundër të cilit ishte pozicionur një opozitë e vetë-cilësuar si demokratike, një ‘shkollë e mendimit’ politik që ishte shfaqur në kryeqendrat perëndimore, pohonte që demokratizimi i Serbisë, pas largimit politik të Millosheviqit, do të krijonte rrethana shumë më të favorshme për zgjiedhjen e çështjes së Kosovës.

Kanë qenë të shumtë politikanë dhe diplomatë perëndimorë të cilët vlerësonin në atë kohë (në vitet e nëntëdhjeta), që janë të paktë politikanët serbë të opozitës që nuk pranojnë, privatisht, në bisedat konfidensiale, që Kosova është humbur, por që ky fakt nuk mund dot të konfirmohet, qoftë edhe me një Marrëveshje me liderishipin shqiptar të kohës, para se të rrëzohet Millosheviqi.

Ata politikanë pra theksonin që së pari duhet të ndodhë a të bëhet demokratizimi i Serbisë si politikë dhe si shoqëri, pastaj, do të bëhet edhe Marrëveshja me Kosovën.

Madje, në këtë kontekst, udhëheqësia kosovare disa herë i është nënshtruar presionit të madh ndërkombëtarë që të hapë udhë për pjesëmarrjen e shqiptarëve të Kosovës në zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare në Serbi, me qëllim që të ndihmohej opozita në Serbi për ta marrë pushtetin.

Zhvillimet në Serbi, pas vitit 2000, kur ra regjimi i Millosheviqit, demantuan në mënyrën më të qartë të mundshme këtë bindje që kishte marr hov në shumë qendra perëndimore.

Millosheviqi shkoi, opozita erdhi dhe mori pushtetin thuaja në të gjtha nivelet, nisi njëmend një demokratizim i Serbisë, por në pushtet mbeti politika zyrtare serbe për Kosovën.

Vetëm ‘disenji’ ndryshoi, ndërsa më nuk ishte rendi i askujt që të kërcënohet me luftë dhe me ndërhyrje ushtarake, kur dihet që në Kosovë ishin stacionuar dhjetëra mijëra ushtarakë të KFOR-it.

Sidoqoftë, supozimi politik që ndryshimi i pushtetit në Serbi do të sjellë edhe ndryshimin e raporteve të Serbisë me Kosovës, apo që demokratizimi i Serbisë do të ketë si pasojë demokratizimin e qëndrimit politik në Beograd karshi Kosovës  (apo, pranimin që Kosova do të bëhet shtet i pavarur), doli të jetë skajshmërisht i gabuar.

Kosova u bë shtet i pavarur, në kundërshtim të vullnetit politik të pushtetarëve të kohës në Beograd, prandaj, mbeti pa u zgjidhur edhe tema e normalizimit të marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë si dy shtete të pavarura.

Në mungesë të Marrëveshjes gjithpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve, dhe për njohjen e ndërsjellë, në aspektin teknik, raportet e Kosovës dhe Serbisë mund të kualifikohen si armëpushim.

Qëndrimi pra që demokratizimi i brendshëm i Serbisë dhe i Kosovës  (i cili pasoi tek ne, që prej përfundimit të luftës e këndej), do të imponojë edhe demokratizimin e marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë, apo normalizimin e këtyre raporteve, doli të jetë i paqëndrueshëm, i gabuar.

Në anën tjetër, objektivisht, nuk ka opsion tjetër politik dhe historik për Kosovën dhe Serbisë pos arritja e kësaj Marrëveshjeje. Dhe atë, sa më parë që do të jetë e mundur.

Kjo Marrëveshje i duhet Kosovës dhe Serbisë, jo vetëm për shkak të motiveve shtytëse (fuqia e të të cilëve realisht është në rënie e sipër, për shkaqe të njohura për të gjithë), që këto dy shtete të përparojnë në mënyrë thelbësore në procesin e anëtarësimit të Kosovës dhe Serbisë në BE.

Përcjellja e vëmendshme e zhvillimeve politike në Kosovë dhe Serbi, objektivisht, shfaqë një tjetër konkludim, i cili është diametralisht i kundërt me atë të mëparmin.

Pra, duket që normalizimi i raporteve në mes të Kosovës dhe Serbisë është parakusht për këto dy shtete të arrijnë demokratizimin e plotë dhe normalizmin e brendshëm të tyre. /Lajmi.net/