Tefik Sylejmani voton vetveten dhe vendoset në krye të OSHP-së

Organi Shqyrtues i Prokurimit (OSHP), ka emëruar Tefik Sylejmanin ushtrues detyre të kryetarit, pas dorëheqjes së Hysni Hoxhës. Zgjedhja e Tefik Sylejmanit në postin e ushtruesit të detyrës është bërë me 29 janar, ndërsa është publikuar në faqen zyrtare të OSHP-së, të martën me 2 shkurt. Por dyshohet se zgjedhja e tij nuk është krejt në rregull.

Lajme

02/02/2016 21:06

Në njoftimin e OSHP-së, shkruan se emërimi i Tefik Sylejmanit në krye të OSHP-së, është bërë me shumicën e votave të anëtarëve të bordit.

Por lajmi.net mëson nga burimet e veta se në procesin e votimit, morën pjesë vetëm Tefik Sylejmani dhe Ekrem Salihu.

Në anën tjetër, në faqen zyrtare të OSHP-së, zyrtarisht anëtarë janë Tefik Sylejmani dhe Ekrem Salihu.

Kjo do të thotë se Sylejmani është emëruar në pozitën e ushtruesit të detyrës së kryetarit të bordit të OSHP-së,  me votën e vetëm një anëtari dhe votën e tij.

Untitled

Në përgjigjen zyrtare  të këtij institucioni për lajmi.net, OSHP-ja deklaron se Sylejamni është emëruar në këtë post konform nenit 12 të së Punës së OSHP-së, nr. 02/2015

“Anëtarët e Bordit të OSHP-së, unanimisht me datën 29 janar 2016, me vendim kanë emëruar z. Tefik Sylejmani, përkohësisht në cilësinë e ushtruesit të detyrës së Kryetarit të OSHP-së, gjerë në marrjen e vendimit meritor për plotësimin e Bordit dhe emërimin e Kryetarit të OSHP-së, nga ana e Qeverisë, përkatësisht Kuvendit të Republikës së Kosovës”, shkruan OSHP për lajmi.net.

Neni 12 paragrafi 15 i kësaj rregullore thotë se “Në rastet kur kryetari mund të jetë i paaftë apo të mungojë  për arsye  të mungesës së shëndetit të mirë, kompetencat e tij dhe funksionet  do të ushtrohen nga një person i përzgjedhur dhe që ka përkrahjen nga Anëtaret tjerë të Bordit”, thuhet në këtë pjesë.

u

Por, të pyetur se si mbi ç’farë baze ligjore është emëruar Sylejmini në këtë detyrë  ku OSHP-ja, momentalisht ka vetëm dy anëtarë,  e ata janë Tefik Sylejmani dhe Ekrem Salihu, ky institucion deklaron se “janë respektuar të gjitha procedurat dhe emërimi i tij është bërë për të mos bllokuar këtë institucion derisa Kuvendi të emërojë drejtorin e ri”.

“Janë respektuar procedurat dhe ky emërim është bërë për arsye të emërimit të panelit shqyrtues për shqyrtimin e ankesave me vlerë deri në 50 mijë euro. Për më tepër shikoni Rregulloren e OSHP-së të publikuar në ueb faqen e saj zyrtare”.

Sipas OSHP-së, është kompetencë e kryetarit heqja e pezullimit automatik, andaj për këtë arsye vendimi është marrë në mënyrë që mos të bllokohet puna e OSHP-së, raporton lajmi.net.

Javë më parë Drejtori i Organi Shqyrtues të Prokurimit, Hysni Hoxha, dha  dorëheqje nga kjo detyrë.  Ai dorëheqjen e arsyetoi për shkaqe shëndetësore sipas të cilit, nuk mund ta përballojë intensitetin e lartë të punës me vetëm tre anëtarë të bordit.

Pjesë e bordit të Organit Shqyrtues të Prokurimit edhe më tutje vazhdon të jetë edhe Bajram Zogiani, edhe pse i njëjti ka më shumë se një vit që ndodhet në paraburgim si i dyshuar për trafikim me femra të mitura.

Por, edhe përkundër kësaj, ai në vazhdimësi merr pagën e rregullt mujore, ndonëse prej më shumë se një viti ai nuk e ushtron fare funksionin./ lajmi.net.