Teatër shqiptar me Gjykatën e Hagës

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka dhënë dorëheqjen dhe ka kërkuar zgjedhje të reja, pasi në zyrën e tij sot në mëngjes ka mbërritur  një fletëthirrje nga Gjykata Ndërkombëtare e Hagës për krimet e luftës.

Lajme

19/07/2019 20:58

Nga Mero Baze

Askush nuk mund të paragjykojë fletëhirrjen e një Gjykate Ndërkombëtare për krime lufte, ashtu si askush nuk mund të konsiderojë fajtor Ramush Haradinajn pa u gjykuar. Dhe kjo është shumë e qartë.

Gjithë të tjerat janë marketing politik, një përpjekje për viktimizim politik.

Së pari, ky nxitimi për ta quajtur gjest burrëror ikjen në Hagë pasi vjen fletëthirrja, është qesharak dhe nuk duhet t’i trajtojmë shqiptarët si idiotë.

Burrëri në kuptimin shqiptar, do të ishte të mos shkoje në Hagë kur të vjen fletëthirrja, po një lloj burrërie e marrë.

Por shkuarja është veprim normal, që e ka bërë çdo epror i UÇK që i ka ardhur kjo fletëthirrje deri më sot.

Së dyti, paragjykimi se Gjykata Speciale është duke bërë politikë me fletëthirrjet, është një paranojë shqiptare, që forcon traditën e mosbesimit tek drejtësia.

Nëse e paragjykojmë si të tillë, atëhere do të thotë se presim që Haradinaj të dënohet, ndërkohë që nga ana tjetër, po themi që lufta e UÇK ka qenë  e pastër dhe Haradinaj është i pafajshëm.

Tani ose njëra, ose tjetra.

Nëse besojmë tek pastërtia e UÇK dhe pafajësia e Haradinajt, besojmë se kjo gjykatë dhe më parë, dy herë të tjera e ka nxjerrë të pafajshëm. Se po të ishte siç po e paragjykoni sot, atëhere nuk do ta dinim, pse ishte UÇK e pastër, apo Haradinaj i pafajshëm.

Së treti, dorëheqja e Haradinajt para nisjes në Hagë dhe kërkesa për zgjedhje të parakohëshme, është një taktikë politike e Hardinajt, për të fituar elektorat përmes viktimizimit, por nuk ka lidhje me statusin e tij si i thirrur në Hagë për krime lufte.

Ai po përpiqet të viktimizohet nga fletëthirrja dhe të shpresojë se kjo do ta forcojë në zgjedhje në Kosovë.

Por kjo nuk ka lidhje me faktin se Kosova turpërohet apo nderohet, duke u gjykuar Ramushi si individ, apo me detyrë kryeministër.

Ramushit si kryeministër, ende nuk i ka ardhur ora të gjykohet. Nëse do të gjykohet për korrupsion apo shkelje ligji, do ta bëjnë gjykatat e Kosovës. Uroj mos t’i ndodhë kjo gjë.

Por në Hagë hetohet dhe gjykohet Ramush Hardinaj, si ish- komandant dhe s’ka lidhje fare me faktin, që sot është kryeministër. Nëse ai dënohet si hero i luftës në Kosovë, do të mbetet në histori. Nëse hetimi zbulon gjëra të pakëndshme për vëllavrasje, po ashtu ai e merr personalisht atë taksë.

Përpjekja për t’ia quajtur nder Kosovës, faktin që Ramushi po ikën si kryeministër i dorëhequr, është një paragjykim i rëndë për drejtësinë dhe Ramushin, pasi po duket sikur ai është apriori fajtor.

E gjitha çfarë ka ndodhur sot, është një proces për të cilin Haradinaj ka qenë i përgatitur, ashtu si Thaçi, Veseli e kushdo tjetër që e kanë votuar vetë Gjykatën Speciale.

Tani ky procesi i dekoratave paradhënie për ata që nisen drejt Hagës, është një folklor shqiptar. Dhe akoma më keq ngjan kur e shikon këtë nga Shqipëria, ku Lulzim Basha që përlotet për Ramushin, është i pari që ja ka mbushur dosjen dhe i fundit politikan që nuk ka shkuar kurrë para drejtësisë në Shqipëri, as kur ka vjedhur, as kur ka vrarë, as kur është kapur duke pastruar para.

Njëjtë dhe të tjerët, që përballja me drejtësinë u duket burrëri. Nuk është burrëri. Është detyrim.