Të vonuar me Trepçën

Deputeti i LDK’së, Muhamet Mustafa, thotë se Ligji për Trepçën është dashur bërë më herët. Sipas tij, AKP ka menaxhuar jo mirë me Trepçën. Ai mendon se Qeveria po e merr vendime të rëndësishme, por që lidhen me çështje elektorale.

Lajme

08/03/2014 06:46

Qeveria aktuale po mundohet që në momentin e fundit të marrë vendime të mëdha për të improvizuar para elektoratit.

Kështu e ka cilësuar deputeti i LDK’së, Muhamet Mustafa, vendimin Qeverisë së Kosovës për të ndryshuar Ligjin për Ndërmarrjet Publike me të cilën kërkohet që ndërmarrjet e mëdha siç është “Trepça” të kalojnë në kompetencë të Qeverisë e jo të Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP).

Ai ka kritikuar AKP’në për keqëmenaxhim të gjigantit metalurgjik Trepça.

Në një prononcim për lajmi.net, Mustafa thotë se AKP është marrë me kreditorë të së kaluarës.

“Lidhja Demokratike ka konstatuar se Agjencia Kosovare e Privatizimit nuk është duke e menaxhuar mirë Trepçën, duke i zvarritur punët. I është dhënë hapësirë shumë të ashtuquajturve kreditorë, të cilët kanë pretendime prej të cilave shumica nuk janë të bazuara dhe thirren në obligime ndaj tyre në kohën kur Këshilli i Sigurimit ka pasur një embargo ndaj ish-Jugosllavisë së viteve të nëntëdhjeta”.

“Duke e pasur parasysh këtë dhe ngathtësinë e dhomës speciale të Gjykatës Supreme, faktikisht po shkon në një proces ku Trepça mund të ngulfatet nga të ashtuquajturit kreditorë”.

Ai ka vlerësuar se Qeveria e Kosovës është dashur më herët të kërkojë ndryshme në këtë ligj dhe jo ta shfrytëzojë këtë në kohën kur pritet të caktohet data për zgjedhjet parlamentare.

“Mu për këtë, Vendimi i Kuvendit ka obliguar Qeverinë që për 3 muaj të krijojë një Ligj për Trepçën që do të bënte një zgjidhje për Trepçën të mos pengohen nga të ashtuquajturit kreditorë”.

“Fatkeqësisht, Qeveria nuk e ka bërë me kohë këtë. Ata po thonë se i kanë bërë disa përgatitje, disa ligje, por ato ende nuk i kanë sjellë në Kuvend dhe kjo është natyrisht shumë problematike. Pra, është dashur të nxjerrin më herët, i cili do të përcaktonte veprimtaritë bazike të Trepçës për t’i konsistuar në një ndërmarrje publike, do të bëhej një spinoff special për këtë dhe më pas më partneritet publiko-privat dhe duke tërhequr një investitor strategjik, Trepça do të merrte rrugën e zhvillimit”.

“Fatkeqësisht, këto procese po zhvillohen shumë ngadalë, me shumë dilema dhe me shumë kontraversitet, dhe ne në Kuvend ende nuk e kemi të qartë prej Qeverisë se si duhet të veprohet me Trepçën”.

“Kjo Qeveri po mundohet tash të improvizojë gjëra për Trepçën që kinse po zgjidh probleme para zgjedhjeve, duke i përvetësuar në mënyrë më të keqe interesat publike dhe duke proklamuar se ata janë të vetmit që i zgjidhin këto probleme”.