Të vegjlit në Rahovec, Malishevë, Istog e Podujevë ushqehen me suxhuk e pak produkte serbe

Komunat e Kosovës po blejë produkte të konservuara për të ushqyer fëmijët në çerdhet publike.

Lajme

02/03/2019 12:01

Fëmijët në çerdhet publike të Kosovës  nga 1 deri në 6 vjeç po ushqehen gati si të rriturit. Virshlle, sallam, e suxhuk po u jepet atyre për të ngrenë. Madje, ata po ushqehen edhe me ushqime tw pa shëndetshme, siç janë produktet e konservuara, si pashtetat, rriskë gjedhi në konservë e gullash i konservuar.

Furnizimi i çerdheve publike me ushqime bëhet nëpërmjet tenderëve publikë, dhe ato furnizohen nga kompanitë të cilat nuk bëjnë vetë prodhimin e ushqimit, apo edhe përpunimit të tyre, por i blejnë si të gatshme, shkruan lajmi.net.

Komuna e Rahovecit, Istogut, Malishevës, Podujevës kanë paraparë në listën e ushqimit edhe suxhuk për të vegjlit e çerdheve publike.

Në Komunën e Rahovecit nuk kanë treguar se si është përpiluar lista e ushqimit për fëmijët e çerdhes publike “Tulipanët”, për furnizon e të cilës Rahoveci ka lidhur kontratë në dhjetorë të vitit të kaluar me kompaninë NTP “Matrix” në vlerë prej rreth 13 mijë euro, me kohëzgjatje për një vit.

Lista e ushqimit, pos frutave, lëngjeve përmban edhe 50 kilogramë suxhuk shtëpiak, po ashtu edhe produkte të tjera të freskëta të mishit, por edhe ushqime të konservuara, si pashteta në sasi prej 450 copë.

Tenderi partiak

Lajmi.net ka gjetur se kompania e cila fitoi këtë tender në Rahovec është në pronësi të Sadik Cenës, një aktivist i moçëm i AAK-së në Rahovec. Ai ka qenë edhe kandidatë për asamble komunale në zgjedhjet lokale të vitit 2017, por nuk kishte arritur të fitonte. Ndonëse, lloji i procedurës për këtë tender ka qenë i hapur, në garë si e vetme ka qenë vetëm kompania e aktivistit të AAK-së.

Doktoresha Teuta Sejdiu Hasbahta e shqetësuar me produktet e konservuara

Teuta Sejdiu Hasbahta e cila është doktoreshë – pediatër, neonatologe, ka thënë për lajmi.net, se suxhuku hynë tek ushqimet e pashëndetshme, por nuk ka vend për shqetësim, nëse ai u servohet  fëmijëve në mënyrë të kontrolluar.

Ajo ka thënë se Komunat duhet të kenë kujdes më ushqimin e fëmijëve, ndërkohë ka shtuar se e keqja më e madhe është nëse fëmijëve u shërbehet ushqim i konservuar.

“Sidomos, suxhuku i skarës bënë pjesë tek ushqimet e pashëndetshme, por nuk u bënë dëm fëmijëve. Nuk e di tash se si servohet, por edhe ai është një lloj mishi dhe nëse shërbehet në mënyrë të kontrolluar nuk ka problem. Kjo temë është bukur e gjerë, por, shqetësuese mbetet fakti i ushqimeve të konservuara, si sallamat, pashtetat. Pra, ka një listë të ushqimeve se cilat janë të shëndetshme e cilat janë të pashëndetshme, dhe çerdhen duhet të kenë kujdes me këtë. Nëse suxhuku është i kontrolluar, nuk mund të ketë ndonjë problem, sepse një fëmijë 5 vjeçar mund ta hajë edhe atë. Por, unë nuk e di si bëhen përgatitjet aty. Përshembull, gjellërat e shtëpisë mund të servohen nëpër çerdhe, me pasul me lakra, patate, oriz”, tha doktoresha Sejdiu Hasbahta për lajmi.net

Në listë plotë produkte të konzevruzra e pak edhe serbe

Lajmi.net ka kontrolluar edhe disa prej listave të ushqimit që kanë përgatitur Komunat tjera, ose që kanë bërë furnizimin e çerdheve.

Ushqime të konservuara në një sasi të madhe ka paraparë Komuna e Istogut.

Para pak ditëve, Komuna ka bërë ‘njoftim për kontratë’ për furnizim me ushqim për nevojat e institucionet të komunës, ku është paraparë edhe ushqimi për çerdhe.

Është kërkuar dhe ushqim i konservuar, si pashtetë pule ose ekuivalente, peshk i konservuar, gullash i konservuar, rriskë gjedhi (narazak), suxhuk shtëpiak, virshlle pule me vakum të paketuara në foli. Po ashtu, janë paraparë edhe produkte tjera të mishit të freskët, pemë e perime, etj.

Komuna e Malishevës ka realizuar kontrata për pije dhe ushqim për çerdhen publike “Zërat e Ëmbël”. Në kontratën e fundit të cilën e ka fituar kompania “Bimi” nga Malisheva janë futur disa produkte serbe, si eurokrem 44 kilogramë, dhe keksë plazma 44 copë.

Për këtë tender komuna ka bërë ‘njoftim për dhënie të kontratës’ në qershor të vitit të kaluar, ndërsa  ‘njoftim për nënshkrimin e kontratës e ka bërë në dhjetorë të vitit 2018, kur ishte vendosur taksa 100 për qind ndaj produkteve serbe. Por, sipas pronarit të kompanisë “Bini”, komuna mund të jetë ngatërruar.

“Kontrata është nënshkruar në qershor të vitit 2018 dhe ka validitet deri në qershor të vitit 2019”, tha pronari i kompanisë “Bimi” për lajmi.net. Po ashtu, edhe kjo komunë ka pasur suxhuk në listën e saj.

Komuna e Podujevës e ka nënshkruar në fillim të vitit të kaluar një kontratë për “Furnizim me ushqim për nevojat e IP “Armela” në Podujevë”. Kontrata ka valideitet deri në fund të këtij viti.

Lista e produkteve përmban 64 artikuj dhe në mesin e tyre ka edhe suxhuk 50 kilogramë, argeta të pulës 1200 copë, peshk i konservuar 120 copë. Po ashtu ka edhe eurokrem.

Lajmi.net ka pyetur në ministrinë e Arsimit, nëse është në dijeni se çka konsumojnë fëmijët nëpër çerdhe, ata kanë thënë se profesionistët e fushës e përpilojnë listën e ushqimit.

“Në dokumentin standardet  e përgjithshme të edukimit dhe arsimit të përgjithshëm (3-6 vjeç) në Kosovë ndër të tjera trajtohet edhe shëndeti dhe ushqimi. Janë profesionistët e fushës të cilët e vlerësojnë se çfarë ushqimi duhet të përmbaj menyja”, ka bërë të ditur zyra për informim e ministrisë së Arsimit. /Lajmi.net/