Të vazhdojmë ndërtimin e Shqipërisë Europiane
Për ne procesi i integrimit europian nuk është udhëtim për diku jashtë Shqipërisë, po rrugëtim brenda nesh.
Opinion
Të dashur bashkëqytetarë dhe bashkëqytetare,
Vendimi i djeshëm për marrjen e vendimit mbi statusin e vendit kandidat për Shqipërinë në qershor, padyshim që nuk ishte vendimi më i mirë që Familja Europiane mund të merrte për vendin tonë.
Po me siguri as për rajonin nuk ishte vendimi më i mirë.
Por, lejomëni të jem shumë i qartë me ju sot:
Ky vendim vetëm e rrit vendosmërinë tonë për reforma të thella shtet-ndërtuese dhe ndryshime rrënjësore e cilësore në çdo fushë, në mënyrë që gjithkush në Shqipëri, të prekë vijimësisht, rezultate të reja të mirëqeverisjes sonë në të mirë të vendit e të çdo qytetari.
E kemi thënë kaherë dhe dua ta përsëris edhe sot:
Për ne procesi i integrimit europian nuk është udhëtim për diku jashtë Shqipërisë, po rrugëtim brenda nesh; për ta ndërtuar Shqipërinë Europiane këtu, në rrugët, shkollat, shërbimet publike, ekonominë dhe rendin ligjor e sigurinë e atdheut tonë.
S’ka dyshim se më vjen mirë, që puna e saponisur e qeverisë së re është vlerësuar dje me notat më pozitive, si nga vendet anëtare e po njësoj dhe nga të gjitha institucionet e Bashkimit Europian.
Ashtu sikundër padyshim më vjen keq që opozita ka ndërmarrë me një frymë, një përpjekje qesharake për të fajësuar qeverinë e re. Fatkeqësisht për të, gjithçka opozita ka thënë deri më tash bie katërcipërisht ndesh, me gjithçka ka nënvizuar qartë dje Bashkimi Europian, në vlerësimin e vet të njëzëshëm për rezultatet e qeverisë shqiptare.
Sidoqoftë, ne, siç e kemi bërë të ditur publikisht, po siç u’a kemi thënë shkoqur në çdo bisedë edhe partnerëve europianë, nuk kishim ndërmend të festonim si fitimtarë nëse vendimi do të ishte ai që shqiptarët prisnin me plot të drejtë. Po as kemi ndërmend të hyjmë në lojën e vjetër të baltës së fajësimit të opozitës, sot që jemi përpara një vendimi të ndryshëm nga ai i dëshiruari.
Por le të jetë e qartë për të gjithë në këtë moment, ajo çka kemi ndjerë e dëgjuar në këta muaj nga pjesa më hezituese e vendeve anëtare. Na e kanë shprehur, qysh në fillim e vijimësisht, nevojën e tyre për më shumë kohë për të vendosur për statusin ngaqë, siç thonë, e kanë ende shumë të freskët në kujtesë, qeverisjen e shkuar të ligjeve të shumta dhe të vullnetit të pakët, sidomos në luftën kundër krimit të organizuar e korrupsionit.
E megjithatë në kohën fare të pakët që patëm në dispozicion, ne u dhamë edhe më hezituesve, përmes jetës së re parlamentare dhe mirëqeverisjes, provat që Shqipëria e pas 23 qershorit, meritonte mbrëmë më shumë se ç’mori prej tyre.
Falë këtyre provave në fakt, morëm një mbështetje të pazakontë publike nga shumë vende anëtare dhe i hapëm rrugë më në fund, edhe qasjes konstruktive të vendeve më hezituese.
Dhe le të jetë e qartë po ashtu sot, se përcaktimi i qershorit si moment për të vendosur për statusin, në një afat më të shkurtër se zakonisht pas shtyrjeve të mëparshme nga një dhjetor në tjetrin, erdhi pikërisht si rezultat i provave bindëse që dhamë në më pak se tre muaj qeverisje.
Të gjithë, edhe më hezituesit, i njohin dhe i vlerësojnë këto prova. Të tjera prova do të japim ditë pas dite – jo vetëm deri në qershor po deri ditën e fundit të mandatit tonë. Dhe jo për ata që do të gjykojnë në qershor në Bruksel progresin e bërë, po për të ndërtuar për popullin tonë rrugën e Shqipërisë Europiane.
Asgjë s’mund t’i zmbrapsë as shqiptarët as qeverinë e tyre, nga kjo rrugë e fatit europian që e kanë shkruar për atdheun tonë gjeografia, historia, gjaku, letrat dhe stërmundimet e njerëzve tanë.
Integrimi europian nuk është për ne një provim para të tjerëve, po një sprovë përpara vetes dhe gjeneratës tjetër të shqiptarëve.
E lejomëni gjithashtu nga ana tjetër, të jem sot sinqerisht i drejtëpërdrejtë edhe me të tjerët që sot janë në Bashkimin Europian, e posaçërisht me udhëheqësit e politikanët që kanë barrën e madhe të vendosin për të tjerët, brenda apo ende jashtë BE-së.
Bota po ndryshon me shpejtësi dhe kaq gjë e dimë të gjithë, ashtu sikundër me siguri të gjithë e dimë se mbyllja në vetvete e BE-së karshi shpejtësisë së ndryshimit të botës, nuk e bën BE-në as më të forte, as më të sigurtë.
BE-ja ka padyshim kundërshtarët e vet të brendshëm, por fatmirësisht janë ende shumë më shumë në çdo vend, qoftë brenda e qoftë ende jashtë BE-së, europianët që e duan Bashkimin Europian.
E nëse ideali i BE-së ishte të siguronte paqen e mirëqenien për miliona njerëz, bilanci është spektakolar jo vetëm për vendet brenda BE-së, po edhe për ato ende jashtë saj – si për shembull vendet e rajonit tonë që pikërisht në emër të së ardhmes europiane, kanë gjetur më në fund rrugën e paqes mesveti, kurse rrugën e mirëqenies së tyre e shohin njësh me rrugën e integrimit në BE.
E pra ky i Bashkimit Europian është një ideal, për të cilin i’a vlen të luftohet me mish e me shpirt, jo vetëm kundër krimit të organizuar e korrupsionit në vendet që aspirojnë BE-në, si Shqipëria, po edhe kundër forcave ekstremiste që duan t’i imponojnë Familjes Europiane një axhendë antieuropiane nga brenda vendeve të BE-së.
Prandaj nuk mundem të mos e shpreh edhe keqardhjen, që procesi historik i zgjerimit të Bashkimit Europian dhe fati europian i vendeve në proces, siç është edhe vendi ynë, të ndërlikohet nga rrethana të brendshme politike apo vigjilje elektorale vendesh anëtare, ku nën ndikimin negativ të forcave ekstremiste, problemet me ekonominë, emigracionin apo papunësinë, kthehen artificialisht në pengesë e politikës europiane të zgjerimit – që është suksesi më i madh në historinë e transformimit të kontinentit evropian.
Thënë të gjitha këto, përpjekja jonë për ndërtimin e Shqipërisë Europiane vazhdon. Pa u ndalur dhe pa humbur kohë të çmuar me çka nuk e kemi ne vetë në dorë, në rrugën e fatit tonë të shkruar europian.
Të vazhdojmë të punojmë me ndershmëri e përkushtim të plotë, për ta rilindur vendin tonë dhe për ta ngritur atë në lartësinë e duhur në sytë e botës.
Të vazhdojmë të ecim më shpejt në rrugën që kemi nisur për të vendosur rendin ligjor dhe rilindur ekonominë kombëtare e familjare të shqiptarëve.
Të vazhdojmë të ndryshojmë cilësisht kulturën politike e qeverisëse, për ta vënë shtetin në shërbim të qytetarëve dhe qeverisjen në shërbim të zgjedhësve.
Të bëjmë gjithçka mundemi që askush të mos mund të ketë më asnjë alibi për të penguar kandidaturën dhe më tutje anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian, po edhe që gjithkush këtu, në Shqipëri, të mund ta jetojë realitetin e ndryshuar prej zotimeve tona të mbajtura.