Të thellohet bashkëpunimi në siguri

Mimi Kodheli është takuar me homologun e saj Agim Çeku. Të dy ministrat kanë shprehur dëshirën e tyre që të thellohet bashkëpunimi në fushën e sigurisë, në mes të Kosovës dhe Shqipërisë.

Lajme

10/01/2014 12:05

Kosova dhe Shqipëria janë pajtuar që ta thellojnë bashkëpunimin në çështje të sigurisë.

Ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Agim Çeku dhe Ministrja e Mbrojtjes e Shqipërisë, Mimi Kodheli janë takuar sot për t’u marrë vesh rreth një koncepti të ri i cili do t’i bënte Kosovën dhe Shqipërinë vende më të sigurta.

Ministri Çeku tha se duke u frymëzuar nga koncepti i ri politik i dy qeverive shqiptare, të cilët nesër do të takohen në Prizren, po në këtë frymë edhe ministritë e sigurisë do të bashkëpunojnën me njëra-tjetrën.

“Sot biseduam që në frymën e konceptit të ri politik të filluar nga dy qeveritë tona, dy kryeministrat tonë edhe z. Edi Rama edhe z. Hashim Thaçi”.

“Edhe ne si dy ministri do t’i përshtatemi këtij koncepti politik që të kemi bashkëpunim dhe bashkëveprim strategjik në mes të dy shteteve tona, edhe ne u dakorduam që nga bashkëpunim i shkëlqyer që e kemi pas deri tash në mes të dy ministrive tona të kalojmë në bashkërendim dhe bashkëveprim strategjik të dy ministrive tona dhe atë në tri rrafshe, në rrafshin bilateral, në rrafshin rajonal dhe në rrafshin e integrimit në NATO”.

Ministri Çeku  shtoi se  se FSK është një tregim i suksesshëm pasi është institucioni më i besuar në Kosovë dhe  është institucion profesional. Ai shtoi se e gjithë kjo është arritur falë bashkëpunimit me shtetin shqiptar.

Ndërkaq,  Ministrja e Mbrojtjes së Shqipërisë, Mimi Kodheli, e njoftoi Çekun për zhvillimet e fundit në Ministrinë e Mbrojtjes pas ndryshimit të qeverisë dhe ardhjes në pushtet të qeverisjes Rama.

“Me ministrin Çeku ndamë gjithashtu të njëjtin mendim lidhur me nivelin e bashkëpunimit dhe marrëdhënieve shumë të mira që ekzistojnë midis FSK’së dhe Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë por pa dyshim më lejoni të them që kjo nuk mjafton, ne të dy palët duhet të gjejmë rrugët dhe mënyrat për ta ngritur këtë bashkëpunim akoma më të lartë dhe për ta bërë atë akoma më të prekshëm dhe akoma më të dobishëm për sigurinë e dy vendeve tona dhe dy popujve tanë. Dhe këtu e kam parasysh jo vetëm bashkëpunimin që orientohet nga Tirana në Prishtinë por edhe nga Prishtina në Tiranë”,

Kodheli ka shtuar se Forcat e Armatosura të Shqipërisë kanë shumë çfarë t’i japin FSK’së por edhe FSK ka çka t’i mësojë forcat e Shqipërisë.

Ministrja Kodheli gjatë ditës do të takohet edhe me Presidenten e Kosovës, Atifete jahjaga dhe Kryeministrin  Hashim Thaçi.