Të shtëna me armë zjarri në Prishtinë

Mesditën e së enjtes ka pasur të shtëna me armë zjarri në Prishtinë.

Lajme

09/07/2020 16:13

Në Prishtinë, përkatësisht në rrugën “Ibrahim Pacolli”, gjatë ditës së sotme rreth orës 13:00 ka pasur të shtëna me armë zjarri.

Këtë e ka konfirmuar për lajmi.net, zëdhënësja e Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.

Ajo ka thënë se në bazë të të dhënave fillestare nuk ka të lënduar nga këto të shtëna.

“Sot  rreth orës 13:00 kemi pranuar informatën për të shtëna me armë zjarri në rrugën “Ibrahim Pacolli”, në Prishtinë. Menjëherë pas marrjes së këtij informacioni në vendin e ngjarjes kanë dalë  njësitet  e nevojshme policore, të stacionit Qendra, për ekzaminim të vendngjarjes. Bazuar në të dhënat fillestare nuk raportohet për persona të lënduar”, ka treguar Ahmeti për lajmi.net.

Ajo ka theksuar se, aktualisht hetuesit policor janë duke punuar për të sqaruar të gjitha rrethanat që lidhen me rastin. /Lajmi.net/