Të rriturit në “gjirin” e Albin Kurtit nuk po mund ta frenojnë vetën në debate

11:25 | 12 Shtator 2019

Ndarja e zhurmshme e Lëvizjes Vetëvendosje dhe krijimi i Partisë Socialdemokrate vazhdon të lëshojë klithje rrahjesh e sharjesh mes njerëzve të të dyja partive.

Hiç më larg së mbrëmë pas një debati televiziv dy kandidatët për deputetë, Haki Abazi nga Lëvizja Vetëvendosje, dhe ai nga koalicioni PSD-AAK, Dardan Molliqaj, kanë pasur një përleshje fizike, shkruan lajmi.net.

Abazi për lajmi.net ka treguar si ka ndodhu rrahja e tij me Dardan Molliqajn pas emisionit në T7.

“Pas emisionit unë kam qenë duke dalë me Hotin duke dale nga studio, në përfundim të korridorit ka ardhë Dardani me përcjellësin e tij, nuk e di kush është, Dardani mi ka kapë duart dhe ai përcjellësi I tij më ka kapë për qafe dhe ka nisë përleshja, unë kam tentua të lirohem dhe jam kthyer në studio dhe njerëzit nuk  kanë arë çka ka ndodhë.

Po, me përcjellësin e tij, unë vetëm dhe Rexhep Hoti ka qenë me mu.”, tha Abazi për lajmi.net.

Molliqaj ka mohuar të ketë ndodhur ndonjë incident jashtë, përveç një debati me shumë tensione.

“Asgjë nuk ndodhi jashtë studios, përveç një debati me pak tensione që ishte vazhdimësi e debatit publik. Unë nuk i kam problem debatet televizive dhe ndjehem shumë komod t’i mbroj bindjet e mia. Nuk fshihem asnjëherë. Secilin veprim timin politik jam në gjendje ta arsyetoj deri në fund. Nuk e kam problem asnjë akuzë e sulm për veprimet e mia politike. Ankesa e vajtimet nuk mund t’i fshehin humbjet në nivel argumentesh nëpër debate televizive.”, ka shkruar Molliqaj.

Lidhur me rasti Policia e Kosovës ka intervistuar të dy të përfshirit.

Një përleshje mes anëtarëve të VV-së dhe PSD-së ka ndodhur edhe jo shumë kohë më parë.

Ishte deputeti i PSD-së, Frashër Krasniqi dhe ai i VV-së Xhelal Sveçla që me të mbaruar emisioni “Rubikon”, i kanë larë hesapet me rrahje.

Mirëpo, kjo nuk është hera e parë që Frashër Krasniqi ishte përfshirë në rrahje me deputetë nga Kuvendi i Kosovës.

Kohë më parë Krasniqi kishte sulmuar fizikisht, në një emision live në Klan Kosova, deputetin e Nismës, Milaim Zeka. /Lajmi.net/