Të rinjtë e PDK-së arsyetohen para Tërnavës për djegien e flamurit të ISIS-it

Naim Tërnava kërkon nga të rinjtë e Kosovës që të jenë më të kujdesshëm në veprimet e tyre dhe të mos bien pre e fushatave që mund ngjallin përçarje në mes të qytetarëve në vend. 

Lajme

09/09/2014 14:40

Një grup i të rinjve, anëtarë të Rinisë Demokratike të Kosovës – dega në Prishtinë zhvilluan një takim me kreun e Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiun Naim Tërnava.

Përmes një njoftimi, thuhet se në takim u diskutua për zhvillimet aktuale në vendin tonë me ç’rast u prek edhe akti simbolik i djegies së logos së grupit terrorist ISIS në Prishtinë. Të rinjtë shpjeguan në takim me Myftiun Tërnava se aktiviteti i djeshëm simbolik nuk kishte qëllim të ofendimit të ndjenjave fetare të besimtarëve mysliman në Kosovë dhe as thënieve të shenjta për islamin.

“Qëllimi, ishte ta kundërshtojnë terrorin dhe aktet terroriste të grupit ISIS me veprimet e tyre kriminale në rend të parë kundër fëmijëve dhe grave që i bëjnë në kundërshtim me parimet e fesë islame”, ka thënë ky grup i të rinjve të PDK-së.

Myftiu Tërnava theksoi se të rinjtë tanë duhet të jenë të kujdesshëm e të matur në veprimet e tyre dhe mos të bien pre e fushatave që më shumë mund të sjellin debate, konfuzion e paqartësi se sa qëllimi i tyre për distancim nga veprimet e ISIS. Po ashtu, në takim Myftiu tha se ne si popull solidarizohemi me vuajtjet e popullatës civile në Irak e Siri, dhe në të njëjtën kohë dënojmë veprimet kriminale të asaj që quhet ISIS.

Të rinjtë theksuan se Rinia Demokratike e Kosovës ka një orientim të qartë demokratik, vlerave të tolerancës dhe mirëkuptimit ndërfetar e ndërnjerëzor.