Të reflektojmë, për Kosovën!

Lideri i Partisë Demokratike të Kosovës, Hashim Thaçi, aktualisht kryeministër, ka ftuar liderët e partive tjera që të reflektojnë për të bërë të mundur tejkalimin e ngërçit politikë dhe ndërtimin e institucioneve, bazuar në rezultatet e zgjedhjeve parlamentare të 8 qershorit.

Lajme

04/11/2014 10:34

Pas pjesëmarrjes në konferencën rajonale “Siguria Kufitare”, të organizuar të martën nga Dogana dhe Policia e Kosovës, kryeministri Thaçi u është përgjigjur edhe pyetjeve të gazetarëve rreth situatës aktuale politike.

Ai ka thënë se mënyra e vetme e daljes nga kjo situatë politike është komunikimi dhe diskutimi i çështjeve nga liderët e partive parlamentare, në kuadër të angazhimeve të presidentes Atifete Jahjaga.

Sipas tij, është më interes nacional që të gjithë liderët politikë të lënë anash interesat personale dhe partiake.  

Kryeministri ka thënë se ngërçi politik duhet të merr fund, pasi edhe miqtë ndërkombëtarë siç ka thënë ai, kanë filluar të shtrojnë pyetje të drejtpërdrejta se “çka është duke ndodhur”.

“Është koha të lëvizim përpara, të ndërtojmë institucione stabile, institucione që do të punojnë në agjendën jashtëzakonisht të rëndësishme zhvillimore dhe integruese të shtetit të Kosovës”.  

I pyetur të komentojë mundësinë e përfolur në media se ekziston mundësia e një koalicioni mes PDK-së dhe LDK-së, ku Isa Mustafa do të bëhej kryeministër, ndërsa ai do të zinte postin e presidentit, pas mbarimit të mandatit të presidentes Jahjaga, Thaçi ka thënë se është kulturë të diskutohen gjërat, porse sipas tij, askush nuk do të mund të realizojë 100 për qindëshin e asaj që aspiron.  

“Ritheksoj se PDK insiston, dhe është e nevojshme, është edhe në kulturën tonë tradicionale, si qytetar, por edhe në kulturën politike, diskutimi, hapja e gjërave për tu negociuar, përderisa askush nuk do të mund të realizojë 100 për qindëshin e asaj që aspiron. Por, ne duhet t’i japim frymë, forcë dhe energji arritjes së marrëveshjes. Vetëm me marrëveshje tejkalohet ngërçi i krijuar”, ka thënë kryeministri.