Të punësuar dhe të pushuar, pa takuar askënd; Gjërat më të çuditshme që ndodhin gjatë pandemisë

Ata që nisin një punë të re gjatë pandemisë, shpesh i shohin kolegët vetëm online. Ky është një fenomen stresues duke bërë që disa të japin dorëheqjen dhe drejtuesit e kanë të vështirë të kuptojnë nëse duhet t’i mbanin ata.

Fun

21/09/2021 11:26

Në botën e punës është krijuar një fenomen i ri, për të cilin nuk ka ende një përkufizim – një tjetër pasojë e pandemisë, shkruan Corriere della Sera.

Nga marsi i 2020-s, kur nisën kufizimet dhe u përhap smart working, në të gjithë botën janë regjistruar raste të punësimit të personave për një detyrë, të cilët më pas kanë ndryshuar punë, duke mos e takuar kurrë fizikisht as drejtuesin dhe as edhe një koleg. Për gjithë këta persona, marrëdhëniet kufizoheshin në videothirrje, transmeton lajmi.net.

Asnjë mbledhje ballë për ballë, kurrë një kafe për t’u njohur më mirë, një aperitiv apo ndonjë birrë për të vijuar planifikimin e projekteve, për të dëgjuar një mendim apo edhe thjesht për të folur keq për drejtuesit. Një fenomen që sigurisht ka pasur një shkak të pashmangshëm – mungesën e lidhjes së punonjësit me kompaninë.

Është e thjeshtë të japësh dorëheqjen duke qenë se me shumë gjasa nuk do të merrni parasysh edhe reagimin e eprorit. Ky i fundit, nga ana e tij, nuk do të dijë nëse duhet të bëjë diçka për të mbajtur bashkëpunëtorin apo për ta lënë të largohet, pa keqardhje.

Rekord dorëheqjesh

Nuk numërohen vetëm miliarda orë videothirrjesh në Zoom, të kryera nga marsi 2020, me kolegë që nuk janë takuar kurrë mes tyre. Ka nga ata që kanë ndryshuar punë më shumë se një herë në këtë periudhë, duke zgjedhur në fund të rikthehen në pikën e fillimit, me njerëz me të cilët kanë pasur marrëdhënie personale para pandemisë.

Shumë njerëz janë punësuar pas një interviste virtuale me drejtuesin e ardhshëm – me pak fjalë, jo vetëm nuk kanë shtrënguar kurrë duart me kolegët e zyrës, por as edhe me vetë drejtuesin. New York Times raporton të dhëna nga Bureau of Labor Statistics në SHBA sipas të cilave nuk ka pasur kurrë një numër kaq të lartë punonjësish që kanë dhënë dorëheqjen, që kur Zyra e Punës nisi monitorimin në vitin 2000. Në prill u regjistrua një numër rekord me 3.9 milionë persona që dhanë dorëheqjen.

Shumë dyshime

Ndër shkaqet që çuan disa punonjës të ndryshojnë vendin e punës pa pasur kohë të takojnë kolegët është pasiguria që sjell kjo situatë. Puna nga shtëpia, duke mos pasur ndonjëherë një konfrontim të drejtpërdrejtë me punonjësit e tjerë vë në dyshim vlerën dhe cilësinë e punës suaj. Kjo ju bën të ndiheni të padobishëm duke mos pasur kurrë një krahasim mbi efektivitetin e detyrave tuaja.

Duke mos njohur personalisht njerëzit me të cilët punoni, ndër të tjera, e bën të ndërlikuar edhe interpretimin e tonit të një email-i. Duke mos ditur asgjë për dikë, që në rrethana të tjera, do të ish ulur pranë nesh – nuk na ndihmon të kuptojnë karakterin e tij dhe mbase të keqkuptojmë edhe një batutë dhe ta interpretojmë në mënyrë fyese.

Dhe sigurisht, duke dhënë dorëheqjen nga një punë e kohëve të fundit, nuk do t’ia ndjeni mungesën askujt, duke qenë se bëhet fjalë vetëm për fytyra që i keni parë në një mbledhje të zhvilluar në video-thirrje. Por nuk duhet të lëmë pa përmendur edhe rrezikun për të humbur dëshirën dhe motivimin, pasi duke punuar nga shtëpia, me telekamerën të fikur, askush nuk mund t’ju mbikëqyrë. Disa punonjës pranuan se kanë vazhduar të luajnë edhe gjatë orarit të punës videogame e nisur gjatë pushimit të drekës.

Vjen motivuesi

Për kompanitë ka dy probleme – si të mos humbasin punonjës me vlerë dhe si të motivojnë të gjithë të punësuarit. Disa kompani kanë krijuar role të reja si “përgjegjësi në distancë”, i cili sigurohet që punonjësit punojnë mirë së bashku. Në nëntor 2020, Facebook punësoi një drejtues për punën në distancë.

Dikush dëshironte nisma për grupe të vogla, veçanërisht tani që me fushatën e vaksinimit në zhvillim mund të organizohen takime ballë për ballë. Por ka edhe nga ata që janë punësuar dhe iu është dorëzuar letra e largimit nga puna (padyshim me e-mail) edhe pa pasur kohë të diskutojnë me drejtuesin dhe të shpjegojnë opinionet. /Lajmi.net/