Të provokosh tensione sociale në Shqipëri

Qeveria duhet të mos e shpërfillë, aq më keq, ta provokojë, kontekstin social, pasi nga tensionimi i tij e para që humbet është vetë Qeveria.

Opinion

28/02/2014 13:50

Ndryshe nga ç’pritej, periudha pas zgjedhjeve është karakterizuar nga tensione  të forta sociale. Tensionet sociale janë ashpërsuar shumë, sidomos me protestat kundërshtuese ndaj shkatërrimit të armëve kimike siriane në Shqipëri dhe me protestat e drejtuesve të furgonëve.

Këto tensione sociale të shoqëruara me mungesën dhe degradimin konstant të rendit publik si dhe me përkeqësimin e gjendjes ekonomike, e kanë thelluar edhe më shumë depresionin social.

Një kontekst social kaq i ngarkuar kërkon një qeverisje shumë të përgjegjshme dhe të kujdesshme. Në të vërtetë nuk ka ndodhur kështu. Në disa raste ka qenë vetë qeveria shkaktare e tronditjeve më të mëdha sociale.

Po përmend vetëm dy raste.

Në rastin e parë qeveria e hodhi në erë konsensusin që qytetarët shqiptarë i kishin dhënë për të qeverisur vetëm pak muaj më parë nëpërmjet një vendimi të mundshëm për të pranuar asgjësimin e mbetjeve kimike në Shqipëri.

Rasti i dytë ka të bëjë me vendimin që çoi në grevën e drejtuesve të furgonëve. Vendimi për bllokimin e tyre ka shkaktuar një konflikt që vazhdon edhe kësaj dite. Edhe pse masat e qeverisë për të shtuar sigurinë në rrugë dhe disiplinimin e drejtuesve të automjeteve janë krejtësisht të justifikuara, madje të vonuara, kjo nuk i jep të drejtë asaj të marrë vendime drastike që ndëshkojnë, as më pak, as më shumë, por rreth 20 mijë drejtues automjetesh, duke u shkatërruar atyre investimin e bërë për vite me radhë dhe duke ua ndërprerë aktivitetin e vetëm me të cilin sigurojnë mbijetesën e vet dhe të familjeve që mbështeten në punën e tyre.

Shtimi i ushtrisë së madhe të të papunëve me 20 mijë të tjerë është një vendim jashtëzakonisht i rëndë dhe që duhet menduar mirë. Edhe më i rëndë po të mendosh se këta 20 mijë të punësuar sot, të papunë nesër, do ta shtojnë me rreth 100 mijë numrin e të varfërve të dëshpëruar (një i punësuar shqiptar ushqen mesatarisht 4-5 frymë, në mos më shumë).

Në vendet europiane një gjest i tillë do të shkaktonte trazira të mëdha sociale. Lajmi i fundit për rritjen e numrit të papunëve në Francë me 8900 të tjerë është përjetuar si një lajm tronditës, ndërkohë që ky vend po bënte përpjekje për uljen e nivelit të papunësisë.

Mendoni se si duhet të përjetohet lajmi për krijimin e 20 mijë të papunëve në një vend me kaq shumë të papunë dhe me kaq pak përkrahje sociale si Shqipëria, kur lajme të tilla përjetohen në mënyrë traumatike në vendet europiane, që janë vende me nivele të ulëta papunësie dhe nivel shumë më të lartë të përkrahjes sociale.

Por, përveç shembujve të mësipërm, qeveria ka ndërmarrë edhe hapa të tjerë që e kanë rënduar ankthin dhe pasigurinë sociale në vend. Shkarkimet në administratën publike krijojnë hapësira për punësimin e simpatizantëve socialistë (gjë kjo e kuptueshme, pasi një pjesë e tyre kanë qenë të përjashtuar po për arsye politike nga e drejta e punësimit në administratën publike) por, nga ana tjetër, zhysin në pasiguri një masë të madhe të punësuarish, të cilët e kanë punësimin në administratën publike si të vetmen mundësi jetese. Këtyre akteve u shtohen edhe fushatat e shkatërrimit të ndërtimeve pa dhe me leje, të cilat, ashtu si janë organizuar deri tani, kanë krijuar një gjendje pasigurie të pajustifikuar pasi secili që ka bërë një investim të kësaj natyre, ndihet i rrezikuar pavarësisht faktit nëse investimi i tyre ka bazë legale apo jo.

Një element tjetër provokues i depresionit social është propaganda e rëndë dhe e pakuptimtë që qeveritarët e rinj kanë ndërmarrë për të vërtetuar se vendi është i zhytur në krizë ekonomike prej paraardhësve të tyre. Kjo propagandë ul besimin e investitorëve të huaj në ekonominë shqiptare, shton depresionin dhe frikën e konsumatorëve, godet kredibilitetin e institucioneve financiare duke krijuar kështu një klimë mosbesimi të përgjithshëm në rritjen e ekonomisë shqiptare.

Dhe ekonomistët e thonë shpesh se kriza ekonomike është para së gjithash një krizë psiko-patologjike frike dhe pasigurie që shoqëritë kalojnë në momente të caktuara historike. Një gjendje e tillë ankthi nuk duhet sidomos të nxitet nga qeveria, sepse edhe përpjekjet e saj për ta ndaluar, ajo mund të depërtojë në shoqërinë shqiptare nga vendet fqinje, të cilat janë të gjitha në krizë: Italia, Greqia, Maqedonia, madje kriza ka gjasa të pushtojë edhe Turqinë, deri tani të papërfshirë nga kriza.

Duket se Kryeministri Rama dhe qeveria e provokojnë kaq pa menduar kontekstin social me veprimet e tyre, pasi ndihen të sigurt në fuqinë politike që elektorati u ka dhënë vetëm pak muaj më parë.

Por kjo siguri, nëse nuk administrohet mirë, mund të rezultojë një iluzion. Në vende si Shqipëria, me një gjendje kaq të pastabilizuar shoqërore, stabiliteti politik zhvlerësohet brenda orës. Për këtë arsye qeveria duhet të mos e shpërfillë, aq më keq, ta provokojë, kontekstin social, pasi nga tensionimi i tij e para që humbet është vetë qeveria.

 

(Panorama)