Të premten kthehen nga Zvicra 55 persona, vendosen në karantinë

13:20 | 26 Mars 2020

Të premten në mëngjes, 55 qytetarë të Kosovës do të kthehen nga Zvicra. Të gjithë këta pas kthimit menjëherë do të vendosën në Qendrën e Studentëve për 14 ditë qëndrimi në karantinë.

Këtë e ka bërë të ditur , Alban Zogaj, shef i kabinetit të ministrit të Infrastrukturës dhe Ambientit, Lumir Abdixhiku.

“Nesër do të ketë fluturim nga Zvicra. Do të kthehen 55 qytetarë të Kosovës, të cilët do të dërgohen direkt në Qendrën e Studentëve”, tha ai për Ekonomia Online.

Deri më tani në Qendrën e Studentëve e cila me vendim të Qeverisë së Kosovës ishte lëshuar për karantinë, janë vendosur gjithsej 230 qytetarë të kthyer në mënyrë të organizuar të cilët kishin mbetur jashtë vendit.

Fillimisht ishin kthyer 10 persona të Ekipit Kombëtar të Boksit, pastaj 40 qytetarë nga Turqia dhe 180 nga Gjermania. Ndërsa nesër këtij numri do t’i bashkohen edhe 55 nga Zvicra.

Ndryshe, ministri i Infrastrukturës dhe Ambientit, Lumir Abdixhiku kishte thënë se gjithsej janë 834 qytetarë që presin të kthehen. Mirëpo, nga ky numër kanë mbetur të kthehen në Kosovë edhe 549 persona të tjerë.

Deri më tani sipas Institutit Kombëtarë të Shëndetësisë Publike, 71 persona kanë rezultuar pozitiv me Coronavirus.