“Të paqëndrueshme, nuk ka dëshmi” – Sa kërkesa të partive u hodhën poshtë nga PZAP për zgjedhjet e 9 shkurtit?
Gjatë ditës së sotme Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), ka refuzuar ankesën e Lëvizjes Vetëvendosje, ku kjo e fundit kishte kërkuar që të anulohen rezultatet e votimit me postë. VV-ja kishte kërkuar që votat e LDK-së, 18933 gjithsej sa janë, të largohen nga rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve, por PZAP ka bërë të ditur…

Lajme
Gjatë ditës së sotme Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), ka refuzuar ankesën e Lëvizjes Vetëvendosje, ku kjo e fundit kishte kërkuar që të anulohen rezultatet e votimit me postë.
VV-ja kishte kërkuar që votat e LDK-së, 18933 gjithsej sa janë, të largohen nga rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve, por PZAP ka bërë të ditur se kjo kërkesë e VV-së është anuluar dhe u cilësua si e pabazuar.
Gjithashtu, PZAP ka bërë të ditur se ka rrëzuar edhe një tjetër ankesë të Lëvizjes Vetëvendosje ndaj Partisë Demokratike të Kosovës.
LVV-ja në ankesën e saj të dorëzuar në PZAP kishte pretenduar se në shumicën e vendvotimeve në Skenderaj, kandidati i PDK-së për kryeministër, Bedri Hamza kishte marrë 94% e deri në 100% të votave, raporton lajmi.net
Në vendim u tha se pretendimet e VV-së janë të paqëndrueshme, dhe se kjo parti s’ka ofruar asnjë dëshmi me ankesë, me të cilën do të provohet fakti për manipulimin e votave në kutit e votimit.
Ndryshe, edhe Partisë Demokratike të Kosovës i është refuzuar kërkesa për rishikim të gjobës prej 4 mijë eurove. PZAP e ka cilësuar këtë kërkesë si të pabazuar.
PZAP thotë se më 25 janar e ka pranuar kërkesën nga PDK “me të cilën pretendohet se mbi bazën e prezantimit të fakteve të reja respektivisht pëlqimit nga z. Besim Fazliu në të cilën thekson se i njëjti ka dhënë pëlqimin kandidatit për deputet, Hajdar Beqa pëlqimin për shfrytëzimin e hapësirës për vendosjen e posterit i cili është objekt i ankesës”.
Por kjo nuk ishte e vetmja, PZAP ka marrë vendim për ankesën e koalicionit PDAK-LpB për të anuluar 211 votat e PAI të dërguara me postë ose të rinumërohen ato, të anulohen 108 votat në komunat ku s’ka banorë të komunitetit ashkalinj, të rinumërohen votat në shkollat “Mihal Grameno”, “Selman Riza” dhe “Daut Bogujevci” në Fushë Kosovë dhe të përsëritet votimi i diasporës.
PZAP edhe këtë ankesë nga ky subjekt politike e cilësoi si të pabazuar.
Ndërkaq, për vendimin e PZAP-së për refuzimin e ankesës së LVV-së për votat e LDK-së, ka reaguar kjo e fundit duke thënë se mirëpresin vendimin e Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa.
Në një postim në Facebook, LDK-ja deklaroi se vendimi PZAP-it konfirmon se përpjekjet e Lëvizjes Vetëvendosje për të manipuluar dhe delegjitimuar procesin zgjedhor ishin të pabazuara dhe shpërfaqin mosgatishmërinë e tyre për të pranuar vullnetin e mërgatës.
“Ky akt e dëshmon qartë se pretendimet e tyre ishin thjesht një përpjekje për të mbrojtur organizimin e vetëm partiak të manipulimit të votës së mërgatës të dokumentuar me video”.
“Lidhja Demokratike e Kosovës dënon ashpër fushatën e organizuar të shpifjeve dhe dezinformatave të Lëvizjes Vetëvendosje, e cila ka për qëllim të komprometojë procesin zgjedhor dhe të delegjitimojë rezultatet që nuk i përshtaten interesave të saj”, thuhet në reagim./Lajmi.net/