Të paktën 35 xhihadistë vriten nga bombardimet në Siri

11:31 | 5 Tetor 2014

Sulmet ajrore dhe luftëtarët kurdë, tashmë të pajisur mirë me armatim, po i detyrojnë xhihadistët të ikin nga territoret e pushtuara

Të paktën 35 xhihadistë janë vrarë gjatë sulmeve ajrore të forcave siriane dhe atyre të koalicionit ndërkombëtar kundër organizatës Shteti Islamik (IS) në veri të Sirisë, ku qyteti kurd i Kobanes është nën rrethimin xhihadist prej disa ditësh.

Sulmet e zhvilluara mbrëmjen e së shtunës vranë të paktën 30 xhihadistë pranë Shadadit, në provincën Hasake (verilindje), dhe pesë të tjerë pranë Kobanes, në provincën e Halebit (veri), në kufij me Turqinë.

“Në Shadadi, sulmet ajrore gjuajtën ngulime të IS-it si dhe rafineri nafte në rajon”, raporton agjencia siriane e lajmeve SANA.

Në Kobane, koalicioni i drejtuar nga SHBA-të goditi të paktën katër zona në frontet në jug dhe juglindje në të dalë të qytetit të tretë kurd në Siri.