Të ndërhyjë Presidentja, apo jo?

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri thotë se PDK-ja është pakicë në Kuvend, andaj, sipas tij, zgjidhjen për daljen nga ngërçi politik e ka LAN-VV.

Lajme

19/09/2014 00:02

Sipas tij, nëse PDK nuk e merr rolin si opozitë, duhet të ndërhyjë Presidentja.

“Sot u konstatua edhe në mënyrë objektive ajo që dihej, por që nuk pranohej nga Partia Demokratike e Kosovës. Partia Demokratike e Kosovës realisht tash është pakicë në Kuvend dhe si e tillë PDK është bërë problem edhe pengesë për mbylljen e seancës konstituive të Kuvendit që pastaj t’i hapet rrugë edhe krijimit të qeverisë”, tha Ymeri në “Click” të RTV21.

Ymeri tha se qeveria do të formohet pa PDK-në dhe se zgjidhjen për daljen nga kriza e ka LDK-AAK-NISMA-VV.

“Qeveria e re po ashtu do të jetë pa PDK-në dhe në këtë drejtim konsideroj që kjo pengesë duhet që të evitohet, pra ose PDK ta kuptojë përfundimisht se do të jetë në opozitë dhe të fillojë të sillet ashtu, ose që të ndërhyjnë institucionet, veçanërisht Presidentja”, tha Ymeri.

Driton Selmanaj, nga KDI, tha se janë kaluar të gjitha afatet kushtetuese dhe tani jemi në një situatë jonormale. 

“Ne jemi fut në situata të abnormaltietit. I Kemi shkelë krejt afatet dhe jemi futë në limite. Kam përshtypje që po presim mrekulli nga Presidenca. Ajo mendoj se është kyçur vonë”, tha ai.

Ndërsa, Muharrem Nitaj tha se mendon që Presidentja jo që është vonuar, por ajo është ngutur që është futur në këtë “lojë”.