Të moshuarit të pakënaqur edhe në Ditën Ndërkombëtare të tyre

Dita Ndërkombëtare e të Moshuarve e cila u shënua edhe në Kosovë, gjeti të pakënaqur kategorinë e të moshuarve, kategori kjo e cila mbizotëron me 67 përqind të të moshuarve mbi 65 vjet.

Lajme

01/10/2015 14:42

Një gjë të tillë ata patën mundësi ta shprehin në shënimin e ditës së tyre e cila u mbajt në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike me moton “Qëndrueshmëria dhe gjithë-përfshirja moshore në mjedisin urban”.

Kjo kategori e shoqërisë sipas specialistit, Naim Jerliut, nga Instituti Kombëtar për Shëndetësi Publike, është e re në Kosovë dhe ndihet e neglizhuar sepse nuk është në fokusin e institucioneve si në aspektin social ashtu edhe në atë socioekonomik, ku sipas tij shumica e të moshuarve thuajse 80 përqind e tyre kanë probleme shëndetësore dhe të cilëve nuk ju mjaftojnë para as për blerjen e barërave.

“Popullatë e të moshuarve është një kategori e cila në shoqërinë e Kosovës konsiderohet si një shoqëri e re nga mosha, në statusin e vet mund të ndjehet e neglizhuar dhe e lënë anash, sepse kjo kategori e popullatës në fakt nuk është as në fokusin e duhur as të politikave institucionale edhe të vendosjes së strategjive të caktuara për trajtimin e duhur të nevojave dhe kërkesave që kupton kjo moshë… Trendi i moshimit në Kosovë është në rritje e sipër. Pritet që deri në vitin 2060 sipas projeksioneve të mbështetura në regjistrimin e popullatës së vitit 2011, do të kemi rreth 39 apo 40 % të popullatës të cilët do të kalojnë moshën mbi 65 vjet”, tha Jerliu.

Ministri i Shëndetësisë, Imet Rrahmani, i cili mori pjesë në këtë aktivitet tha se kjo kategori është në rritje dhe se ministria të cilin ai udhëheq është duke e ndihmuar këtë kategori duke dal në mbrojtje si dhe duke siguruar legjislacion të sigurimit të shërbimeve shëndetësore falas.

“Kjo grup moshë çdo herë e më shumë po vije në rritje dhe kërkesat janë më të shtuara për shoqërinë që të kemi një tretman adekuatë për moshat e shtyra. Ministria e Shëndetësisë është duke u munduar që me të gjitha kapacitetet që ka të ju dal në ndihmë këtyre grupmoshave duke krijuar legjislacion i cili i mbron ose iu siguron shërbime falas duke u munduar në vazhdimësi përmes marrëveshjeve të ndryshme që të ju sigurojë tretmanin bazik shëndetësorë, shpejt dhe sa më afër që ka mundësi. Ju kemi siguruar barëra bazike për shumë sëmundje kronike që janë shumë të shpeshta në këtë moshë, dhe i marrin shpejt ashtu siç e thanë edhe vet përfaqësuesit e këtyre grupmoshave”, tha Rrahmani.

Të pakënaqur ishin edhe shoqata e pensionistëve “Dita Jeta”. Kryetarja e kësaj shoqate, Ramize Pireva tha se ata kërkojnë më shumë mbështetje nga ministria, pasi që personat e kësaj moshe kanë nevoja të ndryshme.

“Personat e kësaj moshe kanë nevoja të ndryshme. Përveç atyre që lidhen me çështjet materiale për ekzistencën e tyre ato kanë nevojë për përkrahje psiko-fizike, rehabilituese e sensibilizuese, si nga aspekti socialo-ekonomik ashtu edhe nga ai shëndetësorë”, tha Pireva.

Për Kosovën llogaritet të jenë 67 përqind të popullatës që janë të moshës mbi 65 vjet. Kjo nënkupton shifra diku prej rreth 128 mijë presona, të cilët gjenden edhe në evidencën e pensioneve bazike./Sh.Ahmeti/