Të mërkurën vendoset se kur votohet për demarkacionin

Të mërkurën do të vendoset nëse Marrëveshja për Demarkacionin do të shkojë këtë vit apo në fillim të vitit të ardhshëm në seancë për t’u votuar.

Lajme

18/12/2017 15:49

Para se të kalojë në seancë për votim, Marrëveshja e Demarkacionit me Malin e Zi duhet të shqyrtohet në Komisionin për Punë të Jashtme e pastaj t’i shkojë Kryesisë së Kuvendit për ta futur në rend të ditës.

 Kryetarja e Komisionit për Punë të Jashtme, Vjosa Osmani, në një prononcim për KALLXO.com ka bërë të ditur se të mërkurën Komisioni do të mblidhet për çështje tjera dhe aty do të diskutohet se kur anëtarët e Komisionit janë të gatshëm ta shqyrtojnë Marrëveshjen e Demarkacionit.
“Të mërkurën takohet Komisioni për disa çështje të tjera por aty do të diskutojmë nëse anëtarët e Komisionit janë të gatshëm ta shqyrtojnë Marrëveshjen për Demarkacion gjatë ditëve në vijim apo kërkojnë të vendosët në rend dite në fillim të janarit. Do të vendoset varësisht nga kërkesat e anëtarëve të Komisionit”, tha Osmani për KALLXO.com.

Për ratifikimin e kësaj Marrëveshjeje duhen 2/3 e votave të 120 deputetëve të Kuvendit të Kosovës.

Marrëveshja e Demarkacionit nuk do të shqyrtohet për herë të parë në Komision.

Kjo Marrëveshje ishte diskutuar edhe në legjislaturën e kaluar, kur deputeti i Vetëvendosjes Driton Çaushi kishte hedhur gaz lotsjellës.

Ndërsa më 1 shtator të vitit të kaluar Marrëveshja kishte shkuar edhe në seancë, mirëpo kryeministri i atëhershëm Isa Mustafa e kishte tërhequr pasi që kishte kuptuar se nuk i ka votat e mjaftueshme.

Marrëveshja e Demarkacionit ishte nënshkruar me 26 gusht të 2015 nga ministrat e atëhershëm të Punëve të Jashtme e të Brendshme, Hashim Thaçi e Skënder Hyseni dhe homologët e tyre malazezë.

Ramush Haradinaj posa ishte zgjedhur kryeministër kishte shkarkuar Komisionin shtetëror për shënimin e vijës kufitare duke e vënë në krye të këtij Komisioni ish-deputetin e LDK-së, Shpejtim Bulliqi, i cili kishte sjellë në Kuvendin e Kosovës raportin që sipas tij dëshmon se Kosova me Marrëveshjen e arritur humb territor.

Sipas zyrtarëve të lartë europianë, ratifikimi i kësaj marrëveshje është kushti kryesor që Kosovës t’i hapet rruga për të lëvizur pa viza.