Të mbijetuarit e persekutimit dhe sulmeve fetare flasin të bashkuar

Ministrat e jashtëm të 100 vendeve iu bashkuan sot të mbijetuarve nga masakrat në kisha, xhami dhe sinagoga, për të bërë thirrje për tolerancë dhe respekt për lirinë fetare dhe pluralizmin fetar në mbarë botën. Korrespondetja e Zërit të Amerikës, Cindy Saine, njofton nga Departamenti i Shtetit.

Bota

17/07/2019 16:20

Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, dhe ambasadori amerikan për Lirinë Fetare, Sam Brownback, thanë se samiti për lirinë fetare synon të bashkojë njerëzit e besimeve të ndryshme që po përballen me persekutimin fetar dhe sulmet vdekjeprurëse ndaj objekteve fetare.

“Të gjithë njerëzit, nga çdo vend i botës, duhet të lejohen të ushtrojnë lirisht besimin e tyre, në shtëpitë e tyre, në objektet fetare, në sheshet publike dhe të besojnë në atë çfarë dëshirojnë”, tha Sekretari amerikan i Shtetit Mike Pompeo.

Të mbijetuarit e persekutimit fetar dhe sulmeve të kohëve të fundit dhanë dëshmitë e tyre të fuqishme, përfshirë Nadia Murad, nga popullsia jazide dhe ish-e burgosur e Shtetit Islamik në Irakun verior.

“Historia dhe studimet na kanë treguar në mënyrë të përsëritur se genocidi është një proces në vazhdim. Rreth 350 mijë jazidë janë ende të bllokuar në kampe në Kurdistan. Mbi 3 mijë gra dhe fëmijë jazidë ende mungojnë. Në vitin 2014, komuniteti ndërkombëtar doli në mbështetje të kauzës së popullsisë jazide, por sot ata janë të braktisur”, tha Nadia Murad, laureate e çmimit Nobel.

Yamini Ravidran i mbijetoi sulmit me armë gjatë Pashkëve të këtij viti në kishat e krishtera në Sri Lanka.

“Ndikimi që ka patur tek komuniteti ynë, në veçanti tek komuniteti i krishterë, na ka lënë me një psikozë frike si kurrë më parë”, thotë zonja Ravidran.

Farid Ahmed i mbijetoi sulmit ndaj xhamisë në Christchurch të Zelandës së Re. Por, bashkëshortja e tij u vra ndërsa përpiqej ta shtynte karrigen e tij me rrota drejt daljes. Ai thotë se besimi i tij e mëson që ai ta falë vrasësin.

“Kurani më ka mësuar që dikujt që më bën keq, t’i bëj mirë… Nëse dikush ju bën padrejtësi, juve bëni të kundërtën. Pra, ai (sulmuesi) më dha urrejtje dhe unë i dhashë dashuri”, thotë Farid Ahmed, i mbijetuar i sulmit ndaj xhamisë në Zelandën e Re.

Të mbijetuarit thanë se tragjeditë kanë ndihmuar njerëz nga besime të ndryshme që të bashkohen përballë urrejtjes dhe fanatizmit.