Të Mallkuarit e Botës Pejane

Vetëvendosje sërish me akuza ndaj AAK'së. Albin Kurti tha se Peja po udhëhiqet nga njerëz që duan vetëm përfitime personale. Sipas Konjufcës, është mallkim të jesh biznesmen në këtë qytet - për shkak të haraçit.

Lajme

12/10/2013 17:02

Lëvizja Vetëvendosje hapi sot fushatën e saj në Pejë dhe prezantoi kandidatin e saj për Kryetar të kësaj komune, Hivzi Muharremi.

Sërish u zbrazën akuza për AAK’në, njësoj si ditë më parë.

Albin Kurti bëri foli për qeverisjen aktuale të AAK’së dhe tha se në Pejë sundojnë grupet e haraçit dhe pushtetin e kanë ata që bëjnë asgjë për qytetarin.

“Njerëzve që e duan Pejën, nuk u është dhënë rasti. Shansin e kanë marrë njerëzit që e kanë dashur veten e tyre dhe për këtë qëllim e kanë shfrytëzuar Pejën”.

“Për dallim prej të gjithë atyre, ne jemi krejtësisht ndryshe, sepse ne i duam qytetarët, ne e duam Komunën, ne e duam qytetin, qytetarët e duan ndryshimin dhe ne duam që bashkë me qytetarët të sjellim ndryshimin në Komunën e Pejës dhe në krejt Kosovën”.

“Është një lloj sekreti publik në Pejë marrja e haraçit prej AAK’së për bizneset vendore. Qytetarët e Pejës e pëshpëritin marrjen e haraçit, por nuk e flasin publikisht, nuk e flasin zëshëm, për shkak të frikës nga hakmarrja”.

“Para gati një viti Thaçi ia shtroi qilimin e kuq Ramushit, dhe në atë moment Ramushi e nxori AAK’në në pazar, AAK’ja është mall, e çmimi është Kryeministria. Ja ku jemi gati një vit më vonë. PDK’ja ia ka marr mallin, e nuk ja ka paguar paret”.

Albin Kurti, më tutje, u shpreh i bindur se më 3 nëntor Vetëvendosje do të fitojë “së bashku me popullin”.

“Edhe në nivelin qendror, edhe në atë lokal, të gjithë të tjerët përveç Vetëvendosjes janë bërë bashkë kundër popullit. Ne duam të bëhemi bashkë me popullin, kundër këtyre. Ata i bashkon krimi, kurse neve na bashkon Vetëvendosja. Më 3 nëntor, ne duhet të fitojmë, dhe duhet ta mbrojmë fitoren tonë”.

I drejtpërdrejtë ka qenë edhe Glauk Konjufca.

Ai tha se të jesh biznesmen i suksesshëm në  Pejë – është mallkim, për shkak të grupeve kriminale të haraçit.

“Peja është kthyer në vend të qërimit të hesapeve mes grupeve kriminale.”

“Të jesh biznesmen i suksesshëm në Pejë, është një lloj mallkimi, sepse duhet që ta paguash haraçin. Krimi i organizuar e ka ngulfatur këtë komunë”.

“Në vend se ndërmarrjet të orientohen dhe të ndihmohen për rritjen e prodhimit, nje pjesë e konsiderueshme e tyre shtrëngohen të japin përqindje të caktuar për bandat e afërta me pushtetin komunal.”

“Me Vetëvendosjen në Pejë, haraçi dhe krimi i organizuar do të çrrënjosen. Askush nuk guxon t’i kërkojë dikujt më shumë se ç’parashihet në ligje e tatime. Ky çlirim,do e lulëzojë sërish biznesin dhe ekonominë e Pejës”.

Kandidati Hivzi Muharremi tha se me qeverisjen e Vetëvendosjes, bujqësia në Pejë do ketë prioritet dhe investimet në këtë sektor nuk do të mungojnë.

“Në qeverisjen e Vetëvendosje’s, pas 3 nëntorit, prioritet do të jetë bujqësia, për dallim nga pushteti aktual qe bujqësinë nuk e konsideron fare me rendësi duke u nisur nga fakti se nga buxheti komunal ndan vetëm 0.79% të buxhetit. Lëvizja Vetëvendosje vetëm në vitin e parë të qeverisjes, nga buxheti komunal do të ndajë 3% të mjeteve, në vitin e dytë do të ndajë 6%, në të tretin 8% kurse në të katërtin 10%”.