Të hendikepuar, por triumfues

Kryetari i PDK'së, Hashim Thaçi, deklaroi sot në Skenderaj se Sami Lushtaku e PDK do të shënojë fitore spektakulare në këtë komunë.

Lajme

08/10/2013 12:34

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Hashim Thaçi, deklaroi në hapje të fushatës zgjedhore në Skenderaj se kjo parti do të fitojë bindshëm në këtë komunë.

Në Sheshin “Adem Jashari” të këtij qyteti, bastion i PDK’së, ai u shpreh i bindur edhe në pafajësinë e dy ish komandantëve të UÇK’së, Sami Lushtaku e Sylejman Selimi.

“Heronjtë e paqes dhe të luftës, Sami Lushtaku dhe Sylejman Selimi, do ta fitojnë edhe këtë betejë. Ne besojmë në pafajësinë e tyre”.

“Në këtë proces zgjedhor kemi hyrë të hendikepuar por padyshim se PDK’ja dhe Sami Lushtaku do të shënojë fitore spektakulare në Skenderaj”.

Në emër të kandidatit të PDK’së, Sami Lushtaku, udhëheqësi i Shtabit Zgjedhor, Abdyl Ymeri ka thënë se PDK është alternativa e vetme e Skenderajt.

“Vizioni dhe qeverisja e mirë e Sami Lushtakut dhe PDK’së ka bërë që të ketë administratë më të mirë, të investohet në bujqësi, infrastrukturë e të tjera”.

“Jemi të sigurt në fitoren e 3 nëntorit sepse PDK bëri ndryshimet në fshat dhe qytet”.