Të gjykohet Sali Berisha

Rexhep Qosja u kthehet kritikave ndaj Sali Berishës. E quan të korruptuar dhe, rrjedhimisht, kërkon nga drejtësia shqiptare që ta nxjerrë atë para gjyqit. Por pranon se dikur kishte gabuar ndaj Berishës.

Lajme

22/12/2013 16:03

Lufta kundër korrupsionit nuk do të jetë e suksesshme në qoftë se nuk dalin para drejtësisë edhe të ashtuquajturit “peshq të mëdhenj”. Ndaj, Akademiku kosovar Rexhep Qosja mendon se ish Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha duhet të nxirret në gjyq.

Në një intervistë për “Gazeta Shqiptare”, Qoska është fajëson ish-kryeministrin për gjendjen e tanishme të Shqipërisë, ndalet në pikat kyçe e më të diskutueshme të politikës së Tiranës.

Sipas tij, çështjet urgjente që duhet prekur nga shteti shqiptar janë krimi i organizuar, korrupsioni, sistemi i drejtësisë, ndërtimet pa leje, çështja “Imami”.

Por, përkrah nxitjes që i jep qeverisë për të punuar, shënon se duhet pasur kujdes nga hakmarrja primitive.

“Qeveria e socialistëve, dhe e socialistëve për integrim, e kryesuar prej kryeministrit, Edi Rama, e ka trashëguar një gjendje të rëndë në funksionimin e organeve e të institucioneve shtetërore. Politikanët shqiptarë, në mandatet e përpara qeverisëse, i kanë lëshuar të gjitha gjasat për ta ngritur shoqërinë shqiptare në nivelin e shteteve bashkëkohore, moderne”.

“Shqipëria me pushtetet e para 23 qershorit 2013 ka mbetur një lloj parashteti me pseudodemokraci të potershme, e karakterizuar prej autoritarizmit të mbuluar me frazeologji liberale! Këtë që po them e dëshmojnë të paligjshmet, korrupsionet, krimet, gënjeshtrat, mashtrimet, nepotizmat, klientelizmat, që po konstatohen në të gjithë sektorët e parashtetit, ndaj të cilave qeveria e re është e detyruar të veprojë duke marrë masa ligjore”.

Qosja ka kritikuar ish Kryeministrin Sali Berisha ndërsa ka vlerësuar edhe vetë “është mashtruar” kur ka menduar që pas humbjes së zgjedhjeve të 23 qershorit, berisha do të largohet nga politika.

“Ai po vazhdon ende të flasë e të sillet si të ishte ende kryeministër! Patologji despotike! Në sjelljet dhe në veprimet e kryetarit të tanishëm të Partisë Demokratike, fatkeqësisht, po shihet plotësisht qartë dora e kryetarit të përparshëm”.

“Në këtë mënyrë po vazhdohet politika e konfliktit e Partisë Demokratike dhe në këtë mënyrë po cenohet identiteti politik edhe ashtu kurrfare i kryetarit të tanishëm”, thotë ai.

“Drejtësia shqiptare, nuk do ta bëjë atë që do të bëhej në të gjitha demokracitë moderne: në qoftë se nuk ballafaqohet me drejtësinë, domethënë në qoftë se nuk nxirret në gjyq, protagonisti kryesor, autokrati i pseudodemokracisë së potershme në Shqipëri, shkelësi i Kushtetutës e i ligjeve, cenuesi i pavarësisë së institucioneve të pavarura, mbuluesi pushtetor i sa e sa ndodhive korruptive e ky është kryeministri i qeverisë së ndëshkuar politikisht prej popullit në zgjedhjet e 23 qershorit”, ka thënë Rexhep Qosja.