Të gjithë për Gjykatën speciale, përveç Vetëvendosjes

Shefat e grupeve parlamentare kanë shprehur qëndrimet e tyre në Kuvendin e Kosovës lidhur me krijimin e Gjykatës Speciale. Përveç Vetëvendosjes partitë e tjera u shprehën pro krijimit të kësaj gjykate, duke thënë se “dëmi” për Kosovën do të jetë më i vogël, nëse kjo gjykatë themelohet nga Kosova.

Lajme

23/04/2014 13:04

Në Kuvendin e Kosovës po debatohet për krijimin e Gjykatës Speciale për krimet e pretenduara të dala nga raporti i Dick Marty-t, si dhe për vazhdimin e mandatit për misionin e EULEX-it.

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci tha se beson fuqishëm në pastërtinë e luftës së UÇK-së. Andaj ai tha se PDK do përkrahë formimin  e kësaj gjykate.

“Grupi parlamentari i PDK-së pas konsultave ka  ardhur në përfundim se ne së pari besojmë në pastërtinë e UÇK-së, si luftë e drejtë e pastër dhe çlirimtare. Besojmë fuqishëm në fuqinë argumentuese që do të dëshmojë pastërtinë e luftës sonë”.

“Besojmë fuqishëm tek partnerët tanë, në BE dhe SHBA, me të cilët kemi pasur partneritet edhe në kohën e luftës”.

“PDK, i jep mbështetje dhe e përkrahë formimin e kësaj gjykate”.

Edhe, LDK do të përkrahë formimin e kësaj Gjykate. Ismet Beqiri tha se LDK beson në pastërtinë e luftës politike dhe çlirimtare të Kosovës. Po ashtu, ai tha se përkrahin edhe vazhdimin e mandatit të EULEX-it.

Grupi Parlamentar i LDK-së,  i vetëdijshëm për rëndësinë për projektligjin që kemi dhe për themelimin e gjykatës speciale, dhe pas analizimit të plotë, duke qenë të bindur se lufta jonë e gjithanshme shumëvjeçare politike dhe çlirimtare e UÇK-së.

“Opsioni i OKB-së është shumë i keq dhe i dëmshëm. Konsiderojmë se Kuvendi duhet marrë vendim”.

“Ne jemi përcaktuar që të mbështesim dhe të përkrahim themelimin  gjykatës dhe po ashtu do të votojmë edhe për vazhdimin e mandatit të EULEX-it”, tha Beqiri.

Ardian Gjini tha se nëse Kuvendi sot voton pro themelimit të kësaj gjykate, dëmi për vendin do të jetë më i vogël.

“Duhet votohet për sepse dëmi do të ishte më i vogël se sa nëse votojmë kundër”.

“Sikur Kosova të kishte institucione të pavarura të gjyqësorit dhe të inicionte vet hetimet, nuk kishim ardhur në këtë ditë, para një akti të kryer”

“AAK vlerëson se është në mirë të Kosovës themelimi i kësaj gjykate, sepse nëse bëhet nga OKB dëmi do të jetë shumë më i madh”.

I vetmi subjekt politik që është kundër krijimit të Gjykatës Speciale është Vetëvendosje.

Glauk Konjufca tha se Qeveria e Kosovës është dashur që të padiste Serbinë për krimet e luftës, e jo të “afrohej me ta”.

Ai e vlerësoj krijimin e kësaj gjykate si “dëm” të madh për vendin, andaj bëri thirrje që të votohet kundër saj.

“Në Serbi kemi 20 mijë kriminel të luftës të cilët janë të lirë.  Institucionet e Kosovës kanë pasur material që për çdo javë prej vitit 99 të dorëzojë dokumente për krimet e Serbisë dhe plagët që na i ka bërë”.

“Në vend që Qeveria të zgjidhte rrugën e drejtësisë me Serbinë, ajo zgjodhi rrugën e afrimit me Serbinë”.

“Ju bëjmë thirrje deputetëve që ta kundërshtojmë krijimin e kësaj gjykate. Ti thuash jo kësaj gjykate, nuk do të thotë se po u ikim hetimeve. Ne jemi për hetime dhe gjykime, por këto të realizohen në Kosovë dhe nga sistemimi i gjyqësisë së Kosovës, dhe askush tjetër”.

Koalicioni për Kosovë të Re gjithashtu u shpreh pro themelimit të Gjykatës Speciale. Kryetarja, Myzejene Selmani tha se beson fuqishëm se lufta e UÇK-së do të dal sërish e pastër.

“Duke e ditur se lufta ka qenë për çlirim, atëherë besoj se qytetarët duhet të ndihen krenar, sepse lufta jonë është përkrahur nga SHBA dhe vendet e BE-së”.

 “Koalicioni për Kosovë të Re do ti jep përkrahje me shpresë që pas këtyre gjykimeve populli dhe lufta e Kosovës do të dal sërish e pastër”,tha Selmani.