Të gjitha shkollat në Ferizaj kanë ngrohje

Të gjitha shkollat e komunës së Ferizajt kanë ngrohje. Drejtoria e arsimit ka përfunduar fazën e furnizimit me lëndë djegëse.

Lajme

02/11/2014 14:35

Faza e parë e furnizimit me lëndë djegës për të gjitha shkollat e komunës së Ferizajt ka përfunduar me kohë. Drejtues të arsimit në komunën e Ferizajt thonë se javën e ardhshme pritet të përfundojë edhe faza e dytë, e cila parasheh furnizimin e shkollave me thëngjill.

Drejtori i DKA-së, Muhamet Halili ka thënë se kjo po bëhet sipas një plani të paraparë dhe se në këtë drejtim, krahasuar me disa komuna tjera, qëndrojmë më mirë.

“Të gjitha shkollat kanë ngrohje, faza e parë ka nënkuptuar shpërndarjen e druve dhe briketit. Presim që thëngjilli të shpërndahet gjatë kësaj jave, por këtu duhet të ceket se një numër i madh i shkollave kanë rezerva të kësaj lënde nga viti i kaluar, kështu që kërkesat nuk janë edhe të mëdha”, ka thënë Halili.

Se shkollat e komunës së Ferizajt kanë ngrohje e thonë edhe drejtorët e shkollave. Sipas tyre, përgatitjet janë bërë me kohë. Zvëvendës/drejtori i SHFMU “Tefik Çanga”, Emrush Ahmeti ka thënë se lëndët djegëse për këtë shkollë janë siguruar dhe se sistemi i ngrohjes funksionon mjaft mirë.

Të njëjtën e pohon edhe drejtori i SHFMU “Gjon Serreçi”, Milazim Dërguti. Ai thotë se fillimisht i është bërë një testim sistemit të ngrohjes dhe vetëm pastaj është filluar me ngrohje.

“Me ngrohje kemi filluar në fund të muajit tetor, jo për shkak të mungesës së lëndës djegëse, por për faktin se moti ka qenë i mirë dhe e kemi shtyrë deri në këtë kohë. Po presim që gjatë këtyre ditëve të furnizohemi edhe me thëngjill dhe kështu t’i plotësojmë nevojat”, theksoi Dërguti.

Ndryshe, në komunën e Ferizajt janë 48 shkolla fillore dhe 8 shkolla të mesme, të cilat kryesisht sistemin e ngrohjes e kanë me lëndë djegëse të fortë, raporton Kosovapress.