Të ftuarës nga Specialja i kalon koha e paraparë për intervistim

Gjykata Speciale që nga fillimi i punës, ka ftuar një numër të madh të ish-ushtarëve të UÇK-së.

Lajme

05/03/2019 18:57

Ndër të ftuarit është edhe Raimonda Rreci, ish-pjesëtare e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, shkruan lajmi.net.

Përkundër ftesës në cilësinë e dëshmitares, Rreci ende nuk është intervistuar nga Gjykata Speciale, dhe sipas avokatit Tomë Gashi, ka kaluar afati i paraparë për intervistimin e saj.

Lajmi.net ka kontaktuar me avokatin Gashi, duke iu referuar një përgjigje të Raimonda Rrecit për lajmi.net ku thotë se raportin me mediat e ka në dorë pikërisht zyra e avokatit Tomë Gashi.

Një gjë e tillë është mohuar nga ky i fundit.

Gashi është shprehur se nuk e përfaqëson zyra e tij të ftuarën e Speciales, ani pse ka pasur kontakte, nuk ka marrëveshje.

“Ne vetëm jemi të njoftuar se ajo është e ftuar si dëshmitare në Gjykatën Speciale dhe tani për tani e dimë se, faktikisht ka kaluar koha për të cilën ka qenë e ftuar dhe kjo zyrë nuk e përfaqëson atë”, është shprehur Gashi për lajmi.net.

Vlen të theksohet fakti se Rreci pasi ishte ftuar nga Specialija pati deklaruar se do t’i përgjigjet ftesës pa marrë parasysh cilësinë në të cilën është ftuar.

Për intervistë së fundmi ka shkuar edhe Ismet Tara, i njohur si “Komandant Hoxha”, ish-komandant në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.

Ndër të ftuarit e kësaj gjykate kanë qenë edhe figura të profilit të lartë si Sami Lushtaku, Sylejman Selimi, Blerim Kuqi e Rrustem Mustafa. /Lajmi.net/