Të famshmit “lënë pas dore” fëmijët e tyre

A mundet që një gjeni të jetë edhe një prind i mirë? Shumë të zënë për të menduar, shpikur, reflektuar dhe krijuar, prindërit-gjeni, që me meritë janë bërë ikona dhe mite të historisë, shpesh dalin që janë prindër jo edhe aq model për fëmijët e tyre. Disa prej tyre, madje, kanë dalë jashtë kornizave të doktrinave të tyre, që i kishin përkrahur me pasion dhe prej të cilave janë bërë të njohur.

Lifestyle

11/11/2015 20:18

Jean Jacques Rousseau, babai i Pedagogjisë Moderne, që vë në qendër pikërisht fëmijët, pesë bijtë e tij i çoi në një shtëpi kujdesi. Të tjerë nuk kujdeseshin fare, siç veproi Alessandro Manzoni me të bijën, Matilde ose i madhi Çarlie Çaplin me fëmijët e tij të shumtë apo edhe Lev Tolstoi, që në ditarët e tij nuk shkroi as edhe një rresht për lindjen e fëmijës së parë.

Shkrimtari italian Maurizio Quilici ka përmbledhur disa autobiografi në librin e tij “Njerëz të mëdhenj, prindër të këqij”, ku flet për lidhjet e ngurta dhe të ftohta të gjenive me fëmijët e tyre.

Në libër nuk mungon as babai i fizikës moderne, Albert Ajnstajn dhe afrimiteti “shurdh” i Galileo Galileit. Nuk mungojnë as femrat. Maria Montessori, krijuesja e sistemit edukativ, që mban edhe emrin e saj, nga frika se mos linte pas dore punën, e mbajti larg të birin deri në adoleshencë, duke u shtirur si tetoja e tij.

Edhe shkencëtarja e Nobelit, Mari Kyri, është kritikuar se nuk investonte shumë në rolin e saj si nënë.

Personalitete të mëdhenj dhe mendje të mëdha jo me domosdoshmëri janë sinonime për humanitet të madh. Sipas raporteve dhe shkrimeve, me sa duket këta gjeni kanë qenë të tillë vetëm në fushën përkatëse dhe aspak të hapur për të thelluar lidhjet me familjarët. Autori i “Njerëz të mëdhenj, prindër të këqij” shkruan në fund të librit të tij: “A është e drejtë që këto mendje të mëdha të sakrifikojnë të qenit prindër për t’i lënë njerëzimit trashëgimi gjenialitetin e tyre”?

Në këtë libër tregohet se Manzoni, që në veprat e tij përshkruan personazhe të mbushur me humanitet dhe mëshirë, injoronte kërkesat e shumta të së bijës për ta takuar. Ose Çaplin që kishte rrëfyer: “Nuk i dua fëmijët e mi”.

Por qëndrimet e këtyre gjenive i përkasin një tjetër kohe. Tani figura e babait ka ndryshuar dhe tashmë burrat janë në gjendje të marrin përsipër edhe përgjegjësi që ndër vite janë cilësuar si mëmësore.

Prindër të mirë janë ata që e dinë që nuk janë perfekt, por sforcohen t’i kuptojnë fëmijët e tyre, t’u qëndrojnë pranë, t’i mësojnë me shembuj, të tregohen koherent, të respektojnë rregullat me qetësi, dialog dhe bindje, sesa me dënime. Prindërit e mirë janë ata që respektojnë personalitetin e fëmijëve, temperamentin e tyre dhe mundohen që të tregohen një shembull i mirë për t’u ndjekur, botimeshqip.com