Të dyshuarit për rastin e “Badovcit” mbesin në paraburgim

Seanca ndaj pesë të dyshuarve në rastin e Badovcit për sot ka përfunduar.

Lajme

24/03/2016 15:05

Ndonëse mbrojtësit e të akuzuarve për terrorizëm kërkuan ndërprerje të paraburgimit duke e zëvendësuar me ndonjë masë tjetër, kryetarja e Trupit Gjykues e ka refuzuar këtë kërkesë.

Seanca ka filluar me fjalën hyrëse nga prokurorja Drita Hajdari e cila duke folur për organizatën ISIS, ka përmendur që pjesë e kësaj organizate janë edhe qytetarë nga Kosova që kanë marr pjesë në luftërat në Siri dhe Irak.

Sipas Hajdarit të akuzuarit me aktet e tyre që kanë bërë afër liqenit të Badovcit kanë dashur që të destabilizojnë Kosovën dhe të shqetësojnë qytetarët.

“Hetimi i prokurorisë ka zbuluar se të akuzuarit me 10 korrik të vitit të kaluar në orët e vona të natës janë tubuar te liqeni i Badovcit të incizojnë një video propaganduese”, tha Hajdari.

Seanca e ardhshme do të vazhdojë më 15 prill. Për këtë rast akuzohen Besnik Latifi, Gazmend Haliti, Milazim Haxhiaj, Fehmi Musa dhe Enis Latifi.