Të burgosurit në Kosovë lëvrojnë arat, mbjellin perime të ndryshme

Pavarësisht situatës së krijuar nga pandemia në vend, në institucionet korrektuese dhe ato të paraburgimit, të burgosurit nuk i kanë ndërprerë aktivitete e tyre të përditshme.

Lajme

03/07/2020 14:40

Në vazhdën e aktiviteteve të punës së organizuar nëpër institucione korrektuese, në kuadër të Njësisë Ekonomike, të burgosurit e qendrave korrektuese kanë mbjellë hapësira bujqësore me domate, patate, fasule, lakra dhe tranguj.

E gjithë puna është duke u kryer nga të dënuarit e qendrave korrektuese dhe po udhëhiqet nga stafi i qendrave, ndërsa në aspektin profesional është duke u mbikëqyrur nga Njësia Ekonomike e SHKK-së.

Të dënuarit, përveçse kanë aktivitete të shumta edukative, sportive, ata zhvillojnë edhe aktivitete tjera, me të cilat shprehin talentin në punën dhe zanatet e tyre që ata zotërojnë. Përveç kësaj, puna e të burgosurve brenda institucioneve korrektuese normalizon edhe jetën e përditshme në burg.

SHKK përmes Njësisë Ekonomike dhe aktiviteteve të saj, synon të ndikoi në rehabilitimin dhe ri-socializimin e personave të burgosur, në uljen e shpenzimeve ekonomike, e po ashtu edhe në rritjen e kualitetit dhe cilësisë së ushqimit.

Tashmë ka filluar furnizimi me tranguj i kuzhinave të të gjitha institucioneve korrektuese dhe atyre të paraburgimit, ndërsa shumë shpejt do filloi furnizimi edhe me produktet tjera, siç janë domatet, patat, speca, fasule, lakra, etj. /Lajmi.net/