Të akuzuarit për aksidentin ku humbi jetën ish-kadeti i Policisë sërish para gjykatës, kërkojnë falje nga familja e viktimës

Gjykata Themelore në Pejë ka shpallur më 6 prill të vitit të kaluar aktgjykimin dënues duke dënuar me 15 vite burgim dy të akuzuarit Arton dhe Nezir Duraku, pasi të njëjtit pranuan fajësinë se në një aksident trafiku shkaktuan vdekjen e ish-kadetit të Policisë së Kosovës, Flordian Shabaj, 30-vjeçar. E sot para gjykatës dolën sërish…

Lajme

11/07/2024 10:40

Gjykata Themelore në Pejë ka shpallur më 6 prill të vitit të kaluar aktgjykimin dënues duke dënuar me 15 vite burgim dy të akuzuarit Arton dhe Nezir Duraku, pasi të njëjtit pranuan fajësinë se në një aksident trafiku shkaktuan vdekjen e ish-kadetit të Policisë së Kosovës, Flordian Shabaj, 30-vjeçar.

E sot para gjykatës dolën sërish të akuzuarit, Arton Duraku dhe Nezir Duraku.

Arton Duraku u dënua me 10 vite burgim për veprën penale “Rrezikim i trafikut publik” ndërsa për “Mosdhënie të ndihmës” me 3 vite burgim. Ndaj tij, gjykata pati shpallur dënim unik prej 10 viteve burgim.

Kurse i akuzuarit Nezir Duraku për veprën penale “Mosdhënia e ndihmës së personit të lënduar në fatkeqësinë e trafikut”, u dënua me 5 vite burgim. Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur më 2 mars 2023, nga Prokuroria Themelore e Pejës, thuhet se i pandehuri Arton Duraku, më 21 nëntor 2022, në fshatin Jashanicë të Komunës së Klinës, duke shkel ligjin mbi trafikun publik i shkakton vdekjen, tani të ndjerit F.Sh.

Sipas aktakuzës, derisa i pandehuri, pa patentë shofer po drejtonte kamionin e markës “Mercedes Atego” i cili ishte i pa regjistruar dhe jo i rregullt teknikisht, me të arritur fshatin e lartcekur, drejtimi Skenderaj – Klinë, nuk e përshtat shpejtësinë e lëvizjes në raport me kushtet e rrugës dhe e tejkalon atë nga 50km/h sa ishte e lejuar në mbi 90km/h dhe kalon në të majtë në shiritin e kundër qarkullues, ku po qarkullonte me automjetin e tij të markës “Opel” i ndjeri F.Sh., ku me pjesën e parë të anës së majtë të rimorkios e godet automjetin “Opel” në pjesën e parë ballore të anës së majtë, pikërisht në pjesën ku ndodhej viktima, i cili nga lëndimet e pësuara si rezultat i aksidentit, ndërron jetë.

Sipas akuzës, me këtë thuhet se i pandehuri Arton Duraku ka kryer vepër penale “Rrezikimi i trafikut publik” nga neni 370 par. 5 lidhur me par. 1 te KPRK-së.

Ndërkaq, tutje në aktakuzë thuhet se, në vendin dhe kohën e lartcekur, i pandehuri Arton, si ngasës i kamionit “Mercedes Atego”, nuk i ofron ndihmë personit tjetër i cili është lënduar në aksidentin e trafikut të shkaktuar me kamionin e të pandehurit, nga ku edhe rezulton me vdekjen e viktimës F.Sh, ku pas aksidentit të përshkruar, ai e ndalon kamionin dhe së bashku me prindin e tij të pandehurin Nezir Duraku, dalin nga kamioni afrohen afër viktimës por nuk i ofrojnë ndihmë dhe largohen nga vendi i ngjarjes, gjersa viktima ndërron jetë.

Dhe me këtë thuhet se i pandehuri ka Arton Duraku ka kryer edhe vepër penale “Mosdhënia e ndihmës personit të lënduar në fatkeqësinë e trafikut publik” nga neni 374 par. 3 të KPRK-së.

Ndërsa, të pandehurin Nezir Duraku, aktakuza e ngarkonte se në ngjarjen e përshkruar si më lart nuk i ofron ndihmë personit tjetër, jeta e të cilit është ndodhur në rrezik të drejtpërdrejt edhe pse këtë ka mundur ta bëjë pa rrezik të madh për vete apo tjetrin.

Tutje, thuhet se pasi i pandehuri Arton Duraku, shkakton aksidentin e trafikut me kamion ku i pandehuri Nezir ishte pasagjer në të, dalin nga kamioni, afrohen afër viktime, por nuk i ofrojnë ndihme dhe largohen nga vendi i ngjarjes, gjersa viktima ndërron jetë. Me këtë rast thuhet se i pandehuri Nezir Duraku ka kryer vepër penale “Mosdhënia e ndihmës” nga neni 188 par.4 i KPRK-së.

E sot para gjykatës në Pejë doli edhe babai i viktimës,  ish-kadetit policor, Flordian Shabaj.

Gjatë zhvillimit të kësaj seance gjyqësore, të akuzuarit në këtë seancë nuk kanë pranuar fajësinë, por këta të fundit kanë kërkuar falje drejtuar palës dëmtuese, familjarëve të viktimës.

Me këtë rast një përgjigje pati edhe nga familja Shabaj, të cilët nuk kanë pranuar kërkim-faljen./Lajmi.net/