Taxhikistani ua merr shtetësinë qytetarëve që i bashkohen IS-it

Parlamenti i Taxhikistanit ka kaluar ligjin i cili ua merr shtetësinë qytetarëve të cilët luftojnë jashtë vendit përkrahë organizatave terrotiste, duke përfshirë këtu edhe grupin militant Shteti Islamik, të cilët janë aktiv në Irak dhe Siri.

Bota

24/06/2015 23:45

“Njerëzit automatikisht do të zhvishen nga shtetësia e Republikës së Taxhikistanit, nëse ata luftojnë përkrahë grupeve dhe organizatave terroriste jashtë vendit”, ka thënë në fjalën e tij në parlament Zarif Alizoda, avokat i popullit për të drejtat e njeriut në shtetet e Azisë Qendrore, raporton AFP.

Deputetët në mënyrë unanime e kanë votuar këtë ligj.

Taxhikistani thotë se janë mbi 400 qytetarë të saj që i janë bashkuar militantëve të IS-it në Irak dhe Siri, duke përfshirë këtu edhe një ish-komandant të forcave speciale.

Në maj, koloneli Gulmurod Halimov, ish-komandant i njësisë speciale në Ministrinë e Brendshme, tronditi vendin teksa njoftoi përmes një video të publikuar online, se ai i është bashkuar IS-it, për shkak të politikave strikte të shtetit kundër praktikimit të fesë islame.