”Task Forca anti-Rusi s’do të ketë efekt nëse nuk drejtohet nga ekspertët”
Njohësi i çështjeve të sigurisë, Hajrullah Tërnava, ka thënë se Task Forca anti-Rusi nuk do të ketë efekt nëse nuk drejtohet nga ekspertët.
Lajme
Ai kështu tha në emisionin Info Magazine duke theksuar se kompletimi i një task force të tillë do të jetë një shërbim jashtëzakonisht më i përsosur sepse do të merret vetëm me një lami.
“Task Forca anti-Rusi i nevojitet Kosovës sepse është një shërbim në hap të kohës e cila duhet gjithsesi të përcjellë gjendjen e sigurisë në tërësi. Kjo task forcë duhet t’i përfshijë ekspertët më eminentë të vendit. Dihet që shërbimet e policisë kane ekspertët e vet dhe të gjithë këta njerëz më eminentë e sidomos ata të kibernetikës duhet të jenë të përfshirë në këto struktura”.
“Gjithsesi duhet të punohet në ligjin i cili parasheh këto struktura. Ligji duhet të jetë mbi të gjitha këto dhe sidomos duhet të ketë llogaridhënie. Mendoj që është diçka shumë e mirë sepse me këto shërbime ne ecim në hap me kohën. Duhet të ecim drejt qëllimeve tona të pavarësisë së plotë. Nëse ne bëhemi pjesë përbërëse e NATO-s; atëherë shumë çështje na lehtësohen”.
“Mendoj që kjo task-forcë duhet t’i përgjigjet kryeministrit, por pse jo edhe presidentit. Rrugëtimi i saj shkon përmes ministrit të punëve të brendshme dhe mbikëqyret nga kryeministri”.
“Është një forcë në hap të kohës që duhet të kompletohet sepse gjendemi në një kohë kur shumë gjëra që po ndodhin dhe ne duhet t’i zbulojmë paraprakisht. Çdo ditë do të kemi veprimtari që duhet të jemi vigjilent”.
“Ne duhet t’ju kushtojmë rëndësi këtyre gjërave dhe duhet që këto punë të kryhen nga ekspertë të sigurisë. Nganjëherë bëhen emërime nga partitë politike që nuk kanë të bëjnë me sigurinë. Kjo task-forcë nuk do ta kishte efektin nëse nuk drejtohet nga ekspertët”.
“Kjo që do të formohet do të jetë një shërbim jashtëzakonisht më i përsosur. Task-forca do të merret vetëm me një lami sepse policia ka shumë gjëra për të përcjellë”.