Tash konferencën e donatorëve, qeveritarët po e quajnë tryezë

Konferenca e donatorëve e paralajmëruar për 6 mars nga kryeministri Isa Mustafa do të ketë karakter njoftues të programit katër vjeçar të qeverisë.

Lajme

05/03/2015 16:44

Megjithatë, zyrtarët e qeverisë, nuk po e quajnë këtë ngjarje konferencë, por po thonë se ajo është më shumë një tryezë.

Në konferencën e donatorëve e cila do të mbahet me 6 mars, sipas zëdhënësit të qeverisë Arban Abrashi do të jenë të ftuar përfaqësues të institucioneve financiare dhe përfaqësues diplomatik që janë në vendin tonë.

Në ndërkohë anëtarët e Komisionit Parlamentar për Zhvillim Ekonomik presin që në këtë konferencë t’i jepet vendit një infuzion në të mirë të zhvillimit ekonomik.

Kryeministri Mustafa pati thënë se donatorët do të njoftohen me planin e qeverisë.

“Me 6 mars do ta mbajmë konferencën e donatorëve dhe donatorëve do t’iu prezantojmë programin qeverisës dhe planin e zbatimit të programit qeverisës,” pati deklaruar Mustafa.

Kurse zëdhënësi i Qeverisë, Arban Abrashi, thotë se realisht kjo është më shumë një platformë ku do të diskutohet programi i qeverisë.

“Realisht nuk kisha dashur me e quajtur konferencë të donatorëve, më shumë është një platformë, tryezë ku do të diskutohet program i qeverisës. Ju siç e dini qeveria javën e kaluar ka miratuar programin dhe tani ka ftuar me datën 6, ish donatorët, donatorët kryesorë të Kosovës që kanë të bëjnë ambasadat, ambasadorët si dhe programet e tyre zhvillimore sikurse USAID, GIZ-i , gjithashtu edhe partnerët tjerë si Banka Botërore, FMN”, ka thënë Abrashi.

Ai ka shtuar se të lartpërmendurve do të iu prezantohet program i qeverisë që ngërthen me vete zhvillimin e sektorit privat.

“Ne do të iu bëjmë me dije se cilat janë prioritetet e Qeverisë së Kosovës në mënyrë mos të themi që t’i sensibilizojmë po edhe ata të njihen me prioritetet tona në mënyrë që të kemi një koordinim në donacionet e ardhshme të cilat vijën për Kosovën. Me këtë hap fillon edhe vetë dialogu për donacionet e ardhshme të cilat ne po mendojmë t’i përfitojmë me projekte konkrete”, ka thënë Abrashi.

Ai po ashtu ka thënë se nuk do të ketë të ftuar biznese vendore.

Në anën tjetër, anëtari i komisionit parlamentar për zhvillim ekonomik, Besim Beqaj, vlerëson se në konferenca të tilla duhet të prezantohen qartë projektet për të cilat kanë nevojë qeveria.

“Gjithmonë është mirë që të kemi konferenca të donatorëve, konferenca të cilat do të ia japin një infuzin ekonomisë së Kosovës. Besoj që një konferencë për investitorë duhet të jetë konferencë e qartë duhet të jetë me projekte të qarta. Se çka planifikohet të bëhet dhe mbi të gjitha të komunikohet paraprakisht dhe jo vetëm një konferencë sa për të plotësuar një nga orientimet të themi të cilat janë të parapara”, ka thënë Beqaj.

Ai ka shtuar se sot i duhet fokus shumë i madh tek donatorët. Ekonomia e Kosovës, sipas tij, kërkon fonde zhvillimore.

“Mbi këtë bazë dua të them që duhet të kemi një kombinim të mirë të donacioneve të cilat kanë të bëjnë me jetën, cilësinë e jetës së qytetarëve prej trajtimit të ujërave të zeza, prej përmirësimit të shërbimit me ujë të pijes për infrastrukturën rurale. Pra, në forma të ndryshme, ndërsa, pjesën e sektorit ekonomik zhvillimor duhet ta trajtojmë me fonde zhvillimore për mundësit e financimit përkrahje cilësore për investime”, ka thënë Beqaj.

Ndërsa, Blerim Grainca, anëtar i komisionit për zhvillim ekonomik thotë se konferencat e tilla janë të mirëseardhura.

“Kjo konferencë presim që të jetë një konferencë në të cilën do të marrin pjesë një numër i caktuar i donatorëve. Siç e dini buxheti aktual i Republikës së Kosovës është ky që është dhe nuk mjafton për mbulimin e të gjitha nevojave që ka vendi ynë. Fondet e grumbulluara kryesisht do të duhej të investoheshin në fusha me rëndësi të veçantë siç janë energjia transporti jo vetëm me theks të veçantë infrastruktura edhe hekurudhore edhe rrugore pastaj sektor të tjerë që krijojnë të ardhura kryesisht në mbështetjen e iniciative që vijën nga sektori privat”, ka thënë Grinca.

Sipas tij, qeveria duhet të fokusohet edhe te zgjerimi i vendeve të reja të punës agrobiznesi e po ashtu edhe sektori minerar sepse është një sektor që kërkon investime të mëdha dhe vetëm përmes konferencave dhe investitorëve të huaj mund të arrihet të investohet në këto fusha.