Tanket ruse në kufi me Ukrainën

Një duzinë tankesh të lehta ruse janë parë të jenë nisur drejtë kufirit ukrainas, teksa aty afër tashmë janë parkuar, jo 100, por rreth 260 kamionët me "ndihma humanitare" të nisura nga Moska, e që kanë për destinacion rajonet Donetsk dhe Luhansk, në Ukrainë, ku rebelët pro-rusë vazhdojnë luftimet me forcat qeveritare.

Bota

15/08/2014 11:59

BBC i ka parë tanket në mëngjesin e hershëm të së premtes, por nuk ka arritur ta konfirmojë nëse ishin duke shkuar në Ukrainë.

Dy gazetarë tjerë, sipas BBC-së, kanë thënë se kanë parë automjete ushtarake ruse të hyjnë në Ukrainë.

Karvani i kamionëve është ende duke pritur lejen e autoriteteve ukrainase për të vazhduar drejt qyteteve të mbajtura nga rebelët pro-rusë në Ukraninën lindore, të shkatërruara nga dhuna e nisur në muajin prill, pas shpalljes së pavarësisë së Krimesë dhe bashkimit të saj me Federatën Ruse.

Zyrtarët e Kryqit të Kuq janë në kryeqytetin e Ukrainës, në Kiev, për të biseduar rreth lejimit të hyrjes së këtij karvani ndihmash në territorin ukrainas, në të cilin dyshohet se mund të ketë edhe armë për rebelët pro-rusë.

Por dy gazetarët, i ‘The Guardian’ dhe ‘The Telegraph’, i kanë konfirmuar edhe BBC-së se një kolonë prej më shumë se 20 transportuesish të blinduar, e me ushtarë rusë në bord, kishte kaluar kufirin dhe hyrë në territorin e Ukrainës.

Rusia, e vënë nën sanksione nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara, ka mohuar vazhdimisht dhe në mënyrë kategorike armatosjen ose trajnimin e rebelëve pro-rusë të cilët shkaktuan konfliktin në prill, kur morën kontrollin në disa qytete në rajonet Donetsk dhe Luhansk, me qëllim shkëputjen nga Ukraina.

Konflikti, i cili ka marrë më shumë se dy mijë jetë, është bërë më i thellë javët e fundit, e sidomos një ditë më parë, në qytetet rebele të Donetsk-it dhe Luhansk-it, kishte granatime të rënda nga forcat ukrainase.

Gjatë qëndrimit në Krime, të enjten, presidenti rus, Vladimir Putin, tha se Rusia nuk do të bëjë veprime që e izolojnë atë nga bashkësia ndërkombëtare, por po ashtu theksoi se “nuk do të lejojë që vendi i tij të përbuzet”.

NATO ia ka tërhequr vërejtjen Rusisë të mos i afrojë trupat e veta pranë kufirit me Ukrainën, por ankesa ka shkuar në “vesh të shurdhër”, dhe si kundërpërgjigje Aleanca Veriatlantike prej disa muajsh ka shtuar stërvitjet ushtarake në shtetet anëtare që janë në kufi me Federatën Ruse.