Tanket amerikane zbarkojnë në Baltik

Qindra automjete ushtarake amerikane kanë zbarkuar në vendet baltike dhe do të qëndrojnë në Europë, në një mision për të siguruar vendet anëtare të NATO-s nga provokimet e mundshme të Rusisë, e cila vitin e kaluar aneksoi Krimenë, gadishullin e Ukrainës në Detin e Zi, dhe nxiti konfliktin në dy rajone të tjera të këtij vendi fqinj.

Bota

11/03/2015 09:46

Dërgesa e tankeve në tre vendet e ish Bashkimit Sovjetik, në Estoni, Lituani dhe Letoni, përkon me vendosjen e një divizioni të këmbësorisë amerikane dhe të stërvitjeve ushtarake të NATO-s në Detin e Zi.

Edhe pse një marrëveshje armëpushimi ka hyrë në fuqi në Ukrainë, konflikti njëvjeçar ka rritur mosbesimin midis Rusisë dhe Perëndimit, prandaj dërgesa e makinerisë ushtarake në vendet fqinje me rusinë, si dhe stërvitjet e NATO-s në Detin e Zi, janë mesazh për Moskën për të mos provokuar vendet anëtare të Aleancës Veri-Atlantike.

Tanket amerikane në portin e Rigës
Tanket amerikane në portin e Rigës

Nga ana tjetër, Rusia ka njoftuar se e ka pezulluar pjesëmarrjen në Grupin e Përbashkët Konsultativ në Traktatin për Konventën e Forcave të Armatosura në Evropë, duke filluar prej 11 marsit. Po ashtu, Rusia njoftoi se është tërhequr edhe nga pakti i kontrollit të armëve evropiane.

Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, ka thënë se byrokratët e Bashkimit Evropian qëllimisht janë duke e përshkallëzuar konfrontimim me Rusinë, dhe akuzoi Brukselin se është duke u përpjekur për të shtyrë afatet për një marrëveshje politike për dy rajonet (proruse) të Ukrainës lindore.

Lavrov veçoi Presidentin e Këshillit Evropian, Donald Tusk, duke e akuzuar atë si nxitës të tensioneve, pasi ish-kryeministri polak, një ditë më parë, i kërkoi falje presidentit amerikan, Barak Obama për vonesat e Bashkimit Evropian për të vepruar shpejtë kundër Rusisë, ashtu si shtetet e Bashkuara.

Në anën tjetër, edhe pse forcat qeveritare ukrainase dhe rebelët prorusë kanë tërhequr makineritë e tyre të rënda nga pozicionet luftarake, në vendet baltike ekziston shqetësimi se Rusia mund të përpiqet të nxisë provokime të ngjashme sikurse në Ukrainë lindore, në rajonet Donetsk dhe Luhansk, ku gjatë konfliktit njëvjeçar, sipas raporteve të OKB-së, janë vrarë mbi 5000 veta.

Presidenti rus, Vladimir Putin, ka pranuar se kishte bërë plan për aneksimin e Krimesë nga Ukraina, por vazhdon të mohojë se ka nxitur konfliktin në Donetsk dhe Luhansk, duke ndihmuar prorusët me armatim dhe forca ushtarake. Por pohimet e Putinit nuk e kanë bindur Perëndimin asnjëherë, dhe që prej prillit të vitit të kaluar sanksionet ekonomike ndaj Rusisë janë në rritje.

Muajin e kaluar Rusia kreu stërvitjet e saj ushtarake në gadishullin e aneksuar nga Ukraina, ndërsa këto ditë, pak kilometra larg, shtatë vende anëtare të NATO-s janë duke përformuar forcën e tyre në ujërat e Detit të Zi. /lajmi.net/

Pamje nga stërvitjet ushtarake të NATO-s në Detin e Zi
Pamje nga stërvitjet ushtarake të NATO-s në Detin e Zi