Talibanët dhe ISIS-i zhvendosin 10 mijë afganë në Konduz
Qeveria afgane ka nisur të enjten një ofensivë të madhe ushtarako-policore kundër forcave talebane në afërsi të Konduzit, kryeqytetit të provincës veri-lindore me të njëjtin emër.

Bota
Talebanët, të ndihmuar nga militantë të trajnuar të “Shtetit Islamik” kanë arritur që brenda dy javësh të futen në periferi të qytetit, duke lënë të vrarë dhjetëra civilë, ndërkohë që kanë detyruar shpërnguljen e më shumë se dhjetë mijë banorëve të tjerë.
Guvernatori i Provincës së Konduzit, Mohammed Omer, tha për BBC-në se të enjten ka pasur të shtëna edhe në afërsi të qytetit, dhe se janë vrarë 18 luftëtarë të “Shtetit Islamik”.
Disa mijëra trupa të NATO janë ende në Afganistan, në rolin e trajnimit, pasi misioni i tyre luftarak ka përfunduar në dhjetor të vitit të kaluar. Aleanca ka hedhur poshtë kërkesën për të ndihmuar me sulmet ajrore, duke kërkuar nga autoritetet të jenë më të vendosur në luftën kundër ekstremistëve.
Njerëzit e zhvendosur nga luftimet janë vendosur nëpër lagje të ndryshme të qytetit dhe në fshatrat përreth, por nëse konflikti vazhdon, provinca që siguron më shumë se gjysmën e orizit për Afganistanin, mund të sjell edhe krizë humanitare.