Talebanët pakistanezë marrin përsipër sulmin në aeroport

Talebanët pakistanezë kanë marrë përsipër sulmin në aeroportin më të madh të vendit që vrau të paktën 28 njerëz, duke përfshirë 10 militantë.

Bota

09/06/2014 13:17

Një bastisje ka filluar të dielën e vonshme në një terminal të përdorur për ngarkim dhe fluturime të VIP-ve në aeroportin ndërkombëtar Karaçi.

Pas raporteve për dhunën në mëngjesin e së hënës  zyrtarët e aeroportit kanë thënë se rrethimi tani ka përfunduar dhe se fluturimet do të rinisin pasdite.

Karaçi ka qenë një objektiv për shumë sulme nga talebanët.

Një zëdhënës i këtij grupi, Shahidullah Shahid, tha se sulmi i së dieles ishte një “mesazh për qeverinë në Pakistan se ne jemi ende gjallë për të reaguar mbi vrasjet e njerëzve të pafajshëm që sulmohen me bomba në fshatrat e tyre”.

Analistët thonë se sulmi minon edhe më tej  përpjekjen e kryeministrit Nawaz Sharif për të filluar bisedimet paqësore me talebanët.

Negociatat kanë bërë pak përparim nga muaji shkurt, ndërsa kritikët kanë argumentuare se ata mund të lejojnë militantet të rigrupohen dhe të fitojnë forcë.

Kryeministri Sharif tha për BBC-në se ai ende shpreson se në një iniciativë e paqes me talebanët mund të ketë sukses.

Por, përleshjet e dhunshme kanë vazhduar dhe Karaçi ka mbetur objektiv i shpeshtë.

Persona të armatosur sulmuan Mehran, bazën detare të qytetit në vitin 2011, duke vrarë 10 persona dhe shkatërruar dy avionë në një rrethim prej 17 orësh.