Taktikat me PTK’në

Analisti Milazim Krasniqi mendon se bllokimi i privatizimit do të shkaktonte implikime në zhvillimin e vendit. Thotë se ajo që po bën opozita lidhur me PTK’në është problematike nga pikëpamja morale, përderisa partitë në programet e tyre kanë privatizimin.

Lajme

21/10/2013 22:09

Fushata elektorale për zgjedhjet lokale të 3 nëntorit ka ndikuar edhe në punën e Kuvendit të Kosovës. Shumë deputetë janë bërë pjesë e kësaj fushate, duke qenë prezent në tubime të ndryshme parazgjedhore, në mbështetje të partive të tyre.

Mbështetja për partitë në fushatë, në fakt, po shndërrohet në goditje për Kuvendin e Kosovës, institucionin më të lartë ligjvënës, i cili dështoi disa herë, në javët e fundit, të sigurojë kuorumin e nevojshëm për mbajtjen e seancës.

Analisti Milazim Krasniqi pret që deputetët, megjithatë, të kryejnë obligimin e tyre.

“Unë besoj që deputetët e Kuvendit, edhe pse një pjesë e tyre janë në fushatë elektorale, do të kryejnë obligimet e tyre kushtetuese”, thotë ai, për lajmi.net.

Por, nuk është vetëm fushata elektorale ajo që po shkakton mungesën e kuorumit në Kuvendin e Kosovës. Një beteje e fuqishme mes pozitës dhe opozitës po zhvillohet rreth privatizimit të PTK’së. Opozita pati braktisur disa herë seancën, për të shkaktuar mungesë të kuorumit, në kohën kur Qeveria tentonte të kalonte vendimin për shitjen e 75 për qind të aksioneve të kësaj ndërmarrje.

Milazim Krasniqi thotë se kjo ishte taktikë e opozitës.

“Kjo është një lojë taktike të cilën opozita po mundohet ta shfrytëzojë për hesape të veta”.

“Përndryshe, ajo që bën opozita në këtë rast është problematike nga pikëpamja etike dhe morale për arsye se ka dalë kundër privatizimit, përderisa programet e partive, të gjithë, janë për privatizim”.

“Bllokimi i privatizimit do të shkaktonte implikime serioze në zhvillimin e vendit. Normalisht që është e drejtë e partive opozitare që të kërkojnë bashkëpunim në proces, por jo ta bllokojnë procesin ashtu siç ka ndodhur deri më tani”.

Analisti Krasniqi thotë se bllokimi i këtij procesi do të mund të çojë Kosovën deri në një krizë institucionale.

“Kosova mund të shkojë drejt zgjedhjeve të parakohshme dhe kjo mund të jetë e stimuluar nga rezultatet eventuale që do të dalin nga zgjedhjet lokale të 3 nëntorit”.

“Por, unë me sa e njoh skenën politike, as partitë opozitare nuk janë të interesuara që të shkohet ne zgjedhjet e parakohshme. Më shumë ka retorikë dhe lojë taktike”.

Opozita, më konkretisht LDK dhe Vetëvendosje, kanë mbledhur nënshkrimet për formimin e një Komisioni Hetimor për PTK’në, me qëllim prolongimin e shitjes së kësaj ndërmarrje, e në rastin më të mirë, dështimin komplet të këtij procesi, që këto dy forca politike po e konsiderojnë të dëmshëm për vendin. Pas kësaj iniciative, është pozita ajo që po bojkoton qe dy herë punimet e Kuvendit të Kosovës, duke shkaktuar mungesë kuorumi, për të mos kaluar Komisionin Hetimor, i cili do ta prolongonte për të paktën, gjashtë muaj, shitjen e PTK’së.

Krasniqi thotë se po të kishte opozita interes për transparencë, atëherë kjo do të arrihej lehtësisht, pasi sipas tij, edhe Qeveria është e interesuar që ky proces të finalizohet sa më shpejt.

Ai ka një shpjegim mbështetës për bojkotin, tash, të pozitës në Kuvend.

“Kjo është një lojë politike dhe normalisht që Qeveria ka marrë një qëndrim mbrojtës dhe është e natyrshme që nuk ka pranuar që të themelohet një Komision Hetimor, i cili pastaj do të çonte ujin në mullirin e opozitës dhe do të krijonte probleme në këtë proces”.

“Mos të harrojmë që në këtë proces, Qeveria ka obligime ndaj blerësit të PTK’së, ka obligime edhe ndaj partnerëve ndërkombëtarë, të cilët e testojnë seriozitetin e vendit tonë përmes këtij procesi”.

“Me këtë do të përçohej një mesazh se kompanitë e mëdha nuk kanë se çfarë të kërkojnë në Kosovë, sepse nuk ka ambient të përshtatshëm për privatizim”.

“Kundërshtimi i partive opozitare është më shumë lojë taktike për të krijuar epërsi psikologjike, e cila do të përdoret edhe për zgjedhjet e ardhshme”.

“Angazhimi i LDK’së për këtë rast është edhe në kundërshtim të vetë programit e kësaj partie”.

Krasniqi thotë se Komisioni Hetimor mund të formohet pas procesit të privatizimit.

“Me këtë, procesi do të mund të përmbyllej dhe pastaj me një bashkëpunim ndërmjet të gjithë pushtetit politik në Kuvend do të mund të krijohet një Komision Hetimor. Por, krijimi i një Komisioni para privatizimit do të ndikonte në bllokimin e këtij procesi dhe do ta kthente atë në pikën zero”.